Udhëheqësit e grupit në rritje BRICS të vendeve në zhvillim do të mblidhen në Rio de Janeiro të dielën, duke bërë thirrje për reformimin e institucioneve tradicionale perëndimore, ndërsa e paraqesin bllokun si një mbrojtës të multilateralizmit në një botë gjithnjë e më të përçarë.
Me grupet e tjera si G7 dhe G20 të ekonomive të mëdha të cilat po pengohet nga qasja “Amerika e Para” e presidentit të SHBA-së Donald Trump, zgjerimi i BRICS-it ka hapur hapësirë të re për koordinim diplomatik, raporton Reuters.
“Përballë ringjalljes së proteksionizmit, u takon vendeve në zhvillim të mbrojnë regjimin tregtar multilateral dhe të reformojnë arkitekturën financiare ndërkombëtare”, ka thënë presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva në një forum biznesi të BRICS-it të shtunën.
Vendet e BRICS-it tani përfaqësojnë mbi gjysmën e popullsisë së botës dhe 40% të prodhimit të saj ekonomik, vuri në dukje Lula.
Grupi BRICS ka mbledhur udhëheqës nga Brazili, Rusia, India dhe Kina në samitin e tij të parë në vitin 2009. Blloku më vonë shtoi Afrikën e Jugut dhe vitin e kaluar përfshiu Egjiptin, Etiopinë, Indonezinë, Iranin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe si anëtarë të plotë. Ky është samiti i parë i liderëve që përfshin Indonezinë.
Presidenti kinez Xi Jinping zgjodhi që këtë vit të dërgonte në samit kryeministrin e tij.
Ndërkaq, presidenti rus, Vladimir Putin do të marrë pjesë përmes një videolidhjeje për shkak të një urdhërarresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.
Megjithatë, shumë krerë shtetesh do të mblidhen për diskutime në Muzeun e Artit Modern të Rios të dielën dhe të hënën, përfshirë kryeministrin Indian, Narendra Modi dhe presidentin e Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa.
Mbi 30 vende kanë shprehur interes për të marrë pjesë në BRICS, qoftë si anëtarë të plotë ose partnerë./koha.net