Mbi katër mijë azilkërkues kanë mbërritur në Britani, shtohet presioni mbi Rishi Sunak

Më shumë se 4,644 azilkërkues kanë mbërritur në Britani me varka të vogla deri më tani gjatë 2024-tës, një rekord ky për tre muajt e vitit që i jep një dhimbje të re koke kryeministrit Rishi Sunak.

Të dhënat e ministrisë së brendshme në Londër tregojnë se shifra e emigrantëve që kaluan La Manshin me varka të vogla e gomone deri më 26 mars është më e lartë se 3,770 emigrantët e shënuar gjatë të njëjtës periudhë vitin e kaluar e madje është më shumë edhe rekordi i vitit 2022 me 4,162 klandestinë. Shefi i ekzekutivit britanik ka shpresuar shumë që masat e marra prej tij ta frenonin këtë fenomen, por duket kjo nuk po funksionon.

Tani e ka kanalizuar një pjesë të mirë të energjisë tek skema e vet kryesore, që është dëbimi në Ruanda i emigrantëve të paligjshëm që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar, teksa legjislacioni që synon ta vërë në jetë këtë plan pas një serie pengesash ligjore, pritet të rikthehet në parlament muajin e ardhshëm. “Niveli i papranueshëm i njerëzve që vazhdojnë të kalojnë La Manshin tregon saktësisht përse duhet të nisim fluturimet drejt Ruandës sa më shpejt të jetë e mundur,” tha një zëdhënës i Home Office javën e kaluar.

“Ne po vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me policinë franceze, e cila po përballet me dhunë dhe trazira në rritje në plazhe teksa punojnë pa u lodhur për të parandaluar këto udhëtime të rrezikshme, të paligjshme dhe të panevojshme,” shtoi ai.

Shifrat e përgjithshme vjetore patën pësuar një rënie prej 36% vitin e kaluar nga rekordi total i 2022-shin, çka bëri që Sunak të dilte me pretendimin se qeveria e tij kishte nisur të korrte sukses me ndalimin e gomoneve, një nga prioritetet e tij kryesore përpara zgjedhjeve që priten të mbahen më vonë këtë vit. /Top Channel/

Read Previous

Mosfunksionimi i Galerisë së Arteve, nga DKRS thonë se mungojnë të interesuarit për ta shfrytëzuar

Read Next

​I pafajshmi kalon 32 vjet në burg, paguhet 30.000 euro dëmshpërblim