Që nga fillimi i vaksinimit e deri më tani në qytetin e Gjakovës janë imunizuar mbi 40 mijë qytetarë. Prej tyre 13 mijë e 500 kanë marrë dozën e dytë të vaksinës anti-covid. Ndërsa gjatë ditës së sotme numër më i vogël i qytetarëve u pa në Qendrën e vaksinimit “Fehmi Agani”, kjo për faktin se të shtunën dhe të dielën jipen vetëm dozat e dyta të vaksinës. Doktori i mjekësisë Ardit Nela tha se në ditët e fundit është rritur dukshëm interesimi i qytetarëve për t’u imunizuar.
Qytetarët të cilët erdhën për të marrë dozën e dytë të vaksinës ishin të grupmoshave të ndryshme. Ata apeluan edhe tek të tjerët që të vaksinohen sepse mbrohet shëndeti publik.
Procesi i vaksinimit ishte më i qetë sepse gjithçka po shkonte sipas renditjes dhe qytetarët po prisnin në radhë duke respektuar edhe distancën dhe respektuar rregullat tjera. Ani pse fluksi i qytetarëve ishte më i vogël këtu u panë edhe zyrtarët e policisë së Kosovës të cilët u angazhuan në mbajtjen e rendit dhe qetësisë. Poashtu që nga fillimi i vaksinimit e deri më tani një kontribut po japin edhe vullnetarët e organizatës Kryqit i kuq dega në Gjakovë. Profesionistët shëndetësor thonë se në rast të ndonjë vale të re te virusit Covid19, parandalimin e përhapjes së infektimit në masë e bënë të mundur vetëm vaksinimi. Theksojmë se në raportin e publikuar në mesditë nga Ministria e shëndetësisë në mesin e komunave me numrin më të madh të të vaksinuarëve sipas vendbanimit, e treta renditet komuna e Gjakovës me 41 mijë e 149 qytetarë të vaksinuar.