Komiteti për politikë dhe financa i komunës së Gjakovës ka mbajtur mbledhjen e jashtëzakonshme ku u shqyrtua projekt buxheti për vitin 2022. Gentiana Qurdina-Nixha, udhëheqëse në Drejtorinë për buxhet dhe financa, prezantoi strukturën e buxhetit komunal 2022-2024, i cili është rritur për 1 milion e 486 mijë e 351 euro më shumë se projekt buxheti i kaluar apo gjithsej 27 milion e 816 mijë e 931 euro.
Anëtarët e komitetit shprehën kërkesat dhe vërejtjet e tyre lidhur me këtë projekt buxhet, disa nga ta e konsideruan edhe si mos reflektim për nevojat e qytetarëve.
Ndërkaq lidhur me këto kërkesa replikoi Durim Halilaj, i cili në qeverisjen e kaluar ishte edhe drejtor për buxhet dhe financa.
Në këtë mbledhje pati edhe kërkesa të veçanta lidhur me disa projekte të komunës së Gjakovës ku nga anëtarët u kërkua që primare të jenë shkollat dhe rregullimi i ujërave të zeza. Megjithatë pas shumë diskutimesh projekt buxheti u votua unanimisht nga anëtarët, për të kaluar më pas në votim në Asamblenë Komunale.