Mbi 200 sulme janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në rajonin e Zaporizhias, ku ekziston rreziku për rrjedhje të substancave radioaktive nga centrali më i madh bërthamor i Europës. Sipas kryebashkiakut Dmitro Orlov, si pasojë e sulmeve ruse në qytezën e Enerhodar ku gjendet centrali, të paktën 10 persona mbetën të plagosur, 2 prej të cilëve në gjendje të rëndë.
Intensifikimi i luftimeve në zonë vjen ndërsa një grup inspektorësh të OKB-së u nisën drejt centralit të Zaporizhias. Rafaele Grossi, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë bërthamore tha se ekipi i inspektorëve pritej të mbërrinte në zonë më vonë gjatë javës.
“Dita erdhi! Grupi i inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore është nisur drejt centralit të Zaporizhias. Ne duhet të mbrojmë sigurinë e centralit bërthamor më të madh në Europë. Jam krenar që do të udhëheq misionin, i cili do të mbërrijë në Zaporizhia më vonë gjatë javës”.
Bombat ruse shkaktuan të paktën 8 viktima civile në rajonin e Donjetsk, në Ukrainën lindore, ndërsa 7 persona të tjerë mbetën të plagosur. Sakaq një tjetër shtetas amerikan është vrarë gjatë luftimeve kundër forcave ruse në Donbas. Sipas një postimi në telegram të zyrtarit rus, Oleg Kozhemyako, bëhet fjalë për një 24-vjeçar nga Memfis, Tenesi.
Presidenti Volodimir Zelensky tha në videomesazhin e fundit se Donbasi thuajse është shkatërruar i tëri nga sulmet ruse, dhe se Rusia është totalisht mospërfillëse ndaj jetëve njerëzore.
Donetsku ka qenë një prej qyteteve më të pasura e të fuqishme në Ukrainë. Tani është thuajse i shkatërruar plotësisht nga sulmet ruse. Donetsku krenar dhe i lavdishëm, i turpëruar dhe i plaçkitur nga pushtuesit që janë totalisht mospërfillës ndaj jetës njerëzore.
Megjithatë, Zelensky siguroi se e gjitha kjo është e përkohshme dhe se Ukraina do të rimarrë të gjitha territoret e pushtuara./A2news/