Mbi 10 mijë pjesëmarrës nga 350 grupe priten në Paradën e Shqiptarëve në Tiranë

Në 112-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, kryeqendra e kombit shqiptar, Tirana, do të mirëpresë Paradën e Shqiptarëve, e realizuar për të dytin vit radhazi dhe e cila pritet të mbledhë mbi 10 mijë pjesëmarrës nga trevat e ndryshme shqipfolëse.

Sipas agjendës së zbuluar, prej mesditës, do të nisë edhe parakalimi i grupeve me përcjellje të kontekstit historik dhe të trashëgimisë kulturore të vendit, ku ngjarja do të zhvillohet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Të pranishëm në paradë pritet të jenë mbi 350 grupe artistike nga anë e mbanë, kudo ku flitet shqip. Në paradë do të jenë të pranishme përfaqësues nga 150 qytete, ndërsa llogariten mbi 10 mijë të pranishëm.

Pjesëmarrësit dhe grupet artistike do të nisin përgatitjet prej orës 9 më 28 Nëntor, për të nisur aktivitetin e Paradës Shqiptare në orën 12 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

“Parada kuqezi” nis nga sheshi “Nënë Tereza”, midis Pallatit të Koncerteve dhe Presidencës dhe do të përshkojë bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u mbyllur në sheshin “Skënderbej”. Parada do të realizohet për të dytin vit radhazi, duke i dhënë kryeqytetit rolin e një qendre të përbashkët për kremtimin e Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë.

Parada Shqiptare për festat e Nëntorit synon të rikthejë vëmendjen tek vlerat e kostumeve popullore, riteve, traditave por dhe trashëgiminë e historisë së kombit te brezat e rinj.

Pas paradës do të zhvillohet dhe ceremonia e ngritjes së flamurit, e parashikuar në orën 13:40.

Paralelisht me zhvillimet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, do të zhvillohen edhe aktivitete të tjera si Panairi i Artizanëve, që do të zhvillohet te Pazari i ri, zona e Markatës së Gjelbër.

“Festivali i Artizanatit dhe Qeramikës” do të shfaqë dhe mbështesë diversitetin dhe aftësitë e jashtëzakonshme të artizanëve lokalë në disiplina të ndryshme artizanale. Ky festival synon të krijojë një treg plot jetë ku artistët, zejtarët dhe krijuesit mund të shfaqin punën e tyre, të angazhohen me publikun dhe të nxisin vlerësimin për mallrat e punuar me dorë.

Festivali do të shfaqë një shumëllojshmëri produktesh të punuar me dorë, duke përfshirë qeramikë, bizhuteri, tekstile, punime druri, punime metalike, artikuj lëkure dhe më shumë. Çdo artizan do të ketë një zonë ekspozimi ku vizitorët mund të shikojnë dhe blejnë krijimet e tyre. Tregu do të ofrojë artikuj unikë, të veçantë, duke promovuar idenë e mbështetjes së talenteve vendase mbi produktet e prodhuara në masë.

Në të njëjtën datë, është teatri “Linda” që shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar, ndërsa koncerti “Eloquent Echoes” do të jepet në ambientet e Kishës Katolike në kryeqytet. “Ky projekt synon të paraqesë përpara publikut të kryeqytetit instrumentistë të rinj, si dhe pedagogë në Real Conservatorio Superior de Musica de Madrid, si dhe Korin “Siparantum”, një ndër koret më të mira aktualisht në rajon. /Albanianpost.com

Read Previous

Kurti në Vlorë, krah Ramës në ngritjen e flamurit

Read Next

BE: Kjo festë gjen Shqipërinë më afër familjes evropiane