Prodhime tradicionale të gërshetuara me tregun modern zunë vend në panairin tradicional të turizimit, i cili këtë vit u vendos në platon e lumit Krena. Nën organizimin e Muzeut Etnografik, organizatës Mountain Hikers dhe me mbështetjen e Komunës së Gjakovës, produkte vendore u paraqitën në këtë panair një ditor. Kryetari Ardian Gjini gjatë fjalës hapëse u shpreh se falë prodhuesve të produkteve tradicionale ky panair mund të zgjerojë aktivitetin në të ardhmen.
Drejtori i muzeut etnografik, Besmir Hasi tha se këtë radhë janë munduar të jenë më afër atyre që janë dëmtuar nga pandemia.
Bashkëorganizatorët nga Mountain Hikers, u shprehën të lumtur me bashkëpunimin që kanë pasur me komunën dhe muzeun për këtë organizim.
Zanatlinjë e të apasionuar të tjerë të traditës e zakoneve, përmes punës së tyre janë bashkuar në këtë panair. Sipas tyre promovimi i vlerave përmes këtij panairi është shumë i rëndësishëm.
Panairi tradicional i turizmit ka për qëllim promovimin e vlerave tradicionale të qytetit si dhe afirmimin e artizanëve të cilët janë promovuesit më të mirë të kulturës dhe traditave të qytetit tonë.