Marrëveshja për burgjet me Danimarkën prapë në rend dite në Kuvendin e Kosovës

Sërish me propozim të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), është vendosur në rend dite në seancën e së enjtes, Projektligji për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze – marrëveshje kjo që është kritikuar nga shoqëria civile dhe opozita me arsyetimin se e njëjta do të krijojë standarde të dyfishta në burgje.

Ndonëse marrëveshja kishte dështuar që të miratohet në Kuvend në seancën e mbajtur javën e kaluar, në mbledhjen e ekzekutivit sërish është miratuar dhe përcjellur e njëjta për në Kuvend.

Institucionet e Kosovës, është thënë se do ta informojnë zyrtarisht Danimarkën për dështimin e ratifikimit në Kuvend të këtij Traktati, për të cilin këto dy vende kishin arritur marrëveshje fillimisht në vitin 2021.

Ministria e Drejtësisë në disa deklarata ka thënë se mospërkrahja e kësaj marrëveshje do të cenojë rëndë marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Danimarkës dhe Kosovës.

Çka përfiton Kosova nga marrëveshja me Danimarkën?

Përmes marrëveshjes me Danimarkën, Kosova parashihet t’i fitojë mbi 200 milionë euro.

Nga shuma 200 milionë euro sa parashihet të përfitonte Kosova 30 milionë planifikohen të shkojnë për energji të ripërtrishme, ndërsa pjesa tjetër për investime në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Danimarka, me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, do t’i dorëzojë Kosovës një tarifë fillestare prej pesë milionë eurosh.

Ndërsa, pagesa tjetër do të bëhet në norma tremujore, gjatë 12 muajve të parë të shfrytëzimit të burgut, në pajtim me numrin e të burgosurve që objekti mund t’i strehojë.

Ilustrim.

Sipas Traktatit, Danimarka nuk do të dërgojë të burgosur të dënuar për vepra terroriste, të burgosur të dënuar për krime të luftës dhe të burgosur të diagnostikuar me çrregullime të rënda mendore, të cilët kanë nevojë për kujdes mjekësor jashtë burgut.

Ndërkaq, udhëheqësit dhe gardianët në burgun e Gjilanit do të jenë nga shteti i Danimarkës dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Autoritetet në Danimarkë kanë thënë më herët se kapacitetet e burgjeve të tyre janë mbushur 100 për qind, pasi numri i të burgosurve është rritur për gati 20% nga viti 2015.

Traktati ka kohëzgjatje prej dhjetë vjetësh. /Albanianpost.com

Read Previous

Sunak: Azilkërkuesit e parë do të deportohen në Ruanda pas zgjedhjeve

Read Next

Begaj pret në takim Presidenten sllovene