Kombëtaren shqiptare e ka quajtur një zgjedhje zemre dhe tek ekipi i Espanyol, ai ndihet mirë.
Bëhet fjalë për Marash Kumbullën, mbrojtësin kuqezi, i cili aktivizohet një Spanjë dhe së fundmi ka ndarë me “rg.org” detaje nga karriera e tij, si asnjëherë më parë.
“Kam luajtur për Shqipërinë që kur isha 15 vjeç dhe kur isha 19 vjeç, më duhej të zgjidhja mes Shqipërisë dhe Italisë në nivel të lartë. Edhe pse Italia donte që unë të luaja për ta, nuk kisha asnjë dyshim: e gjithë familja ime është nga Shqipëria, ndihem shqiptar dhe doja të luaja për kuqezinjtë”.
Kështu ka thënë ai, duke hequr çdo dyshim nga fakti se Kombëtarja kuqezi është e vetmja fanelë, për të cilën ka ëndërruar të përfaqësojë në nivel profesional.
Sipas Kumbullës, Kombëtarja është rritur shumë vitet e fundit për shkak të shumë lojtarëve, që kishin zgjedhjen mes të luajturit për Shqipërinë dhe një komb tjetër, por që në fund zgjodhën Shqipërinë.
“Shpresojmë, kjo do të motivojë fëmijët e tjerë që të marrin të njëjtin vendim në të ardhmen”, përmend ai më tej.
Mbrojtësi ka folur edhe për aventurën e tij te Roma:
“Kishte shumë presion. Roma është një ekip i madh në Itali, tifozët e të cilit kërkojnë shumë, por unë e shijova shumë kohën time në Romë dhe presioni, edhe në kohë të këqija, më ndihmoi të piqesha. Unë jam rritur shumë nën Mourinhon për sa i përket karakterit dhe mentalitetit tim – ai të tregon të vërtetën në fytyrë. Ai të ndihmon ta shohësh futbollin në një mënyrë tjetër dhe kjo e bën më të lehtë të luash në një nivel më të lartë”.
Ndërsa, thotë se tek Espanyol, ka gjetur një atmosferë ku i duhet të mendojë vetëm për atë çfarë ndodh në fushë dhe mund të përqendrohet në çdo detaj të lojës së tij, për t’u bërë më i mirë.
“Stërvitem çdo ditë për t’u përgatitur për çdo ndeshje. Pas një viti e gjysmë rikuperimi nga dëmtimi, isha pak në dyshim, por tani ndihem shumë mirë si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Më në fund ndihem sërish si vetvetja si futbollist”, përmbylli Kumbulla. /Albanianpost.com