Maqedonci: Më shumë reagime për reduktime se për sulmin në Ibër-Lepenc

Foto: RTK

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është befasuar me ankesat e shumta të qytetarëve për mungesën e energjisë elektrike.

Në një intervistë për “Tëvë1”, Maqedonci ka deklaruar se më shumë po ka reagime për mungesë të energjisë elektrike sesa për sulmin terrorist në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, më 29 nëntor.

“Normalisht çdo mungesë e shërbimit esencial është i rëndësishëm. Kemi pas sulm nga Serbia për të shkatërruar komplet infrastrukturën kritike, energjetike të vendit tonë dhe kemi pas një reagim shumë të vakët, të këtyre që po kritikojnë qeverinë tonë për mungesë të rrymës për një periudhë të caktuar”, tha Maqedonci.

“Pra më pak ka pas reagime ndaj atyre grupeve që kanë tentuar që ta lënë komplet Republikën e Kosovës pa energji elektrike për muaj të tërë se ndaj rastit të reduktimeve të zakonshme”, shtoi.

Kosova që disa ditë është duke u përballur me reduktime të energjisë elektrike, çka ka bërë që të ketë reagime të shumta nga qytetarët.

Kryeshefi i ekzekutiv i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) Evetar Zeqiri, ka vlerësuar se mungesa e energjisë elektrike në shumë komuna të Kosovës nuk është si pasojë e mungesës së prodhimit të rrymës, por si rezultat i “ngarkesës së jashtëzakonshme” në rrjet.

E kjo ngarkesë e papërballueshme, sipas kryeshefit, vije si rezultat i “zhvillimit ekonomik që ka ndodhur në vitet e fundit”, i cili rrjedhimisht ka shtuar kërkesën për energji elektrike.

“Sistemi elektro-energjetik është duke u përballur me ngarkesë të jashtëzakonshme si rezultat i zhvillimit ekonomik që ka ndodhur në vitet e fundit”, tha ai në një konferencë për media.

Ai ka përsëritur se reduktimet e rrymës nuk janë si pasojë e mungesës së energjisë elektrike, meqë prodhimi i saj është në maksimum. /Albanianpost.com

Read Previous

Man United, Amorim: Nuk e di sa kohë do të zgjasë kjo vuajtje

Read Next

Për të tretin tremujor radhazi, Turqia mbetet investitori kryesor në Shqipëri