Manuel Neuer është i bindur se Bayern Munich mund të bëjë kthesën në
çerekfinale të Ligës së Kampionëve, kundër PSG-së, rival për të cilin pretendon se
“ka probleme në pjesën e pasme”. Bavarezët pësuan humbjen e parë europiane nën
drejtimin e Hansi Flick javën e kaluar. Kampionët e Francës triumfuan 3-2 në “Allianz
Arena”, në çerekfinalen e parë, duke hedhur një hap të konsiderueshëm drejt
kualifikimit.
Kampionët gjermanë tani do të duhet të fitojnë me dy gola diferencë, ose duke
shënuar më shumë se tre gola në “Parc des Princes”, në mënyrë që të arrijnë
gjysmëfinalet. Neuer është optimist se mund të përfitojnë nga dobësitë e skuadrës
franceze në mbrojtje.
“Duhet të qëndrojmë të qetë në aspektin psikologjik, por të kemi zjarr në zemra tona.
Ne duam t’i qasemi lojës në mënyrën e duhur, me motivim, me ekuilibër mes
reparteve dhe natyrisht stabilitetin që nevojitet ndaj lojtarëve kaq të shpejtë, – tha
portieri i Bayernit për “Bundesliga.com”. – Do të duhet të ruajmë qetësinë, të luajmë futboll sulmues dhe t’i vëmë nën presion. Ata kanë probleme në pjesën e prapme. Nëse krijojmë aq shumë shanse sa në Mynih, atëherë mund t’ia dalim”.
Sidoqoftë, legjenda e Bayernit, Lothar Matthaus, mendon se skuadra e Flick është
më pak kohezive se sezonin e kaluar: “Skuadra gjithmonë merr përsipër një rrezik të
lartë, por kur humbet topin nuk është më aq kompakte sa në sezonin e kaluar.
Konstatoj një mungesë zgjuarsie dhe shpejtësie te lojtarët”.
Bayerni do të luajë sërish pa Robert Lewandowski, që vazhdon riaftësimin nga
dëmtimi. Megjithatë, Thomas Muller, Kingsley Coman, Leroy Sane dhe Eric-Maxim
Choupo-Moting do të jenë të gjithë në dispozicion për udhëtimin në Francë, ndërsa
Marqinhos është ende në dyshim te PSG, pasi pasi humbi ndeshjen e Ligue 1 me
Strasburgun, të shtunën.