Në Komisionin Parlamentar për Stabilizim Asocim BE-Kosovë, ka marrë pjesë eurodeputeti austriak Lukas Mandl, në sesionin e dytë të punës.
Mandl ,u shpreh se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është dialog mes dy shteteve dhe jo ndërmjet qyteteve.
“Agjenda thotë se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit. E njoh këtë gjuhë shumë mirë, por besoj se ky nuk është dialog mes dy qyteteve. Duhet ta bëjmë të qartë në fillim se është dialog mes dy shteteve, shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë.
Ai theksoi se duhet pasur parasysh edhe rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në dialogun Kosovë-Serbi.
“Ne nuk duhet të nënvlerësojmë rolin pozitiv të SHBA-së në dialog, në mbështetjen e vërtetë të dialogut të ndërmjetësuar nga BE”.
Sipas tij, fokusi i Serbisë është dashur të jetë bashkëpunimi.
“Ne ende po flasim për të kaluarën, për ideologjitë, në ende duhet të merremi me nacionalizma, urrejtje e paragjykime ndërkohë që jetojmë në një botë ku të gjithë jemi në Evropë. Nëse bashkëpunimi do të ishte fokusi, Serbia do të ishte si Gjermania, në kuptimin ekonomik për Ballkanin Perëndimor.
“Ky do të ishte një vizion optimist për të ardhmen. Kjo do të ndodhë nëse nuk do të flisnim kaq shumë për të kaluarën dhe ideologjinë e urrejtjes”.
Ndërsa për liberalizimin e vizave potencoi, “se është vonuar tej mase”.
Edhe, raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, në kuadër të panelit “Procesi i Berlinit 2.0” ka thënë se Bashkimi Evropian ka dështuar karshi Kosovës me mosliberalizimin e vizave.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, ka pranuar që ta shkallëzojë vendimin për targat, duke mos i konfiskuar veturat me tabela ilegale, por fillimisht duke i qortuar, më pas në një afat tjetër gjobitur.
Shkallëzimi tjetër do të jetë vendosja për dy muaj e tabelave provuese dhe vetëm pas 21 prillit të vitit 2023. Kurti tha se do të konfiskohen targat ilegale KM.
“Për tri javë duke filluar nga 1 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Më pas, deri me 21 janar do të shpërndahen gjoba. Dhe pastaj, nga 21 janari, do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas secilës datë me 21 prill nuk mund të ketë, sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, shpjegoj Kurti në mbledhje të qeverisë.
Kryeministri e ka pranuar se ky ndryshim vendimi po vjen, si përgjigje e qeverisë “për ndjeshmërinë e shtuar edhe ndërkombëtare sa i përket paqes dhe sigurisë”.
Megjithatë për këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, ShBA-të, prapë kanë shprehur pakënaqësi. /Albanianpost.com