Franca dhe Gjermania, bashkë me Bashkimin Evropian, janë treguar të përkushtuara në raport me Kosovën dhe situatën në Veri, prandaj presidenti francez, Emmanuel Macronn, pret që edhe Kosova ta ketë të njëjtin përkushtim në zbatimin e premtimeve të dhëna, veçanërisht për uljen e tensioneve dhe krijimin e kushteve për paqe dhe stabilitet.
Këto ishin komentet e Macron, bërë para ambasadorëve të Francës në fjalimin e tij të parvjetshëm dhe tradicional, ku presidenti diskuton me diplomatët francezë për politikën e jashtme të shtetit dhe sfidat e diplomacisë.
“Sa i përket diferencave në mes të Kosovës dhe Serbisë, kjo situatë është mbështetur nga negociatorët evropianë dhe nga përfaqësuesit tanë, prandaj presim angazhim të qartë nga të dyja palët”, tha Macron duke specifikuar “angazhimin sa i përket zgjedhjeve komunale në katër komunat veriore”.
Ai theksoi se për autoritetet e Kosovës ka një kërkesë të qartë – “presim që vendoset paqja sa i përket situatës në Veri”.
Lideri i “ La République En Marche” që u angazhua edhe personalisht përmes kabinetit të tij dhe përfaqësuesit Emmanuel Bonne në bashkëpunim me Gjermaninë të hartojnë edhe një propozim franko-gjerman që më vonë u kthye në Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, deklaroi se edhe qeveria e tij, por edhe ajo e Olaf Scholz-it, u kanë qëndruar premtimeve në raport me Ballkanin Perëndimor dhe Kosovën.
“Franca dhe Gjermania u ka qëndruar përkushtimeve të veta dhe këtë e kemi treguar me çështjen e vizave dhe çështje të tjera ekonomike që do të shpalosen në të ardhmen”, pohoi Macron, “prandaj presim nga të dyja palët që të sillen me përgjegjshmëri”.
Ai u ka tërhequr vërejtjen diplomatëve të tij se “duhet të jemi tejet vigjilent në atë pjesë, sidomos kur stabiliteti i Ballkani Perëndimor është në pyetje”.
Dhe, për të përmbyllur temën e Kosovës dhe Serbisë e dialogut mes tyre, Macron përfundoi duke thënë se “ne do të vazhdojë përkushtimin tonë”, për këtë pjesë të Evropës. /Albanianpost.com