Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar se partia e ekstremit të djathtë Ressemblement National (RN) dhe koalicioni i majtë Fronti i Ri Popullor – që të dy janë kryesues në zgjedhjet parlamentare – rrezikojnë të sjellin “luftë civile” në Francë.
Macron i tha podcastit “Generation Do It Yourself” se manifesti i partisë RN – të cilin anketuesit e zgjedhjeve e vendosën në vend të parë – dhe zgjidhjet e tyre për t’u marrë me frikën mbi krimin dhe emigracionin, bazoheshin në “stigmatizimin ose ndarjen”.
“Mendoj se zgjidhjet e dhëna nga e djathta ekstreme janë jashtë diskutimit, sepse ajo po i kategorizon njerëzit në aspektin e fesë ose origjinës së tyre dhe kjo është arsyeja pse ajo çon në ndarje dhe në luftë civile,” tha ai për podcast.
Macron bëri të njëjtën kritikë ndaj partisë së majtë ekstreme La France Insoumise (LFI), e cila është pjesë e koalicionit të Frontit të Ri Popullor.
“Por edhe kjo, ka një luftë civile pas kësaj, sepse ju po i kategorizoni njerëzit vetëm në aspektin e këndvështrimit të tyre fetar ose komunitetit të cilit i përkasin, që në një farë mënyre është një mjet për të justifikuar izolimin e tyre nga komuniteti më i gjerë kombëtar, dhe në këtë rast, do të kishit një luftë civile me ata që nuk ndajnë të njëjtat vlera”, shtoi Macron.
I pyetur për t’iu përgjigjur komenteve të Macron, presidenti i RN, Jordan Bardella – i parë si një kryeministër i mundshëm nëse RN fiton më shumë vota në zgjedhje – u përgjigj për M6 TV: “Një president nuk duhet ta thotë këtë”.
Udhëheqësi i France Unbowed, Jean-Luc Mélenchon, dënoi gjithashtu komentet e Macron në një intervistë për France 2 TV, duke thënë se ishin politikat e vetë Macron, ato që po sillnin trazira civile, për shembull në territorin francez jashtë shtetit të Kaledonisë së Re.
Komentet e Macron u transmetuan disa orë pasi RN publikoi manifestin e saj zgjedhor, i cili premton të kufizojë emigracionin dhe të heqë të drejtat e kombësisë për fëmijët e lindur dhe rritur në Francë nga prindër të huaj.
Në prezantimin e manifestit në Paris, Bardella tha se prioriteti afatgjatë i partisë ishte “të ngrinte Francën përsëri në këmbë” duke futur atë që ai e quajti “një ligj të nevojshëm kundër ideologjive islamike”. Detajet e këtij projekti nuk u shprehën. /Albanianpost.com