Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë përditësim e të dhënave për rezultatin e numrimit të votave nga përfaqësitë diplomatike sot në 07:59.
Sipas faqës zyrtare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se pas numërimit të mbi 93 për qind të votave nga përfaqësitë diplomatike, Lëvizja Vetëvendosje prin me 80.75 për qind apo 10.898 vota.
Në vendin e dytë është Partia Demokratike e Kosovës me 1010 vota, apo 7.48 për qind.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 7.45 për qind apo 1006 vota, pasuar nga koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Konservatorët e Intelektualët me 1.93 për qind apo 260 vota.
Më 8 shkurt, për herë të parë Kosova organizoi votim fizik të pjesëtarëve të mërgatës në përfaqësitë diplomatike të shtetit në botë. Votimet u mbajtën në 43 vendvotime në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës, në 19 shtete të ndryshme të botës.
Pjesëmarrja në votimet në ambasada dhe konsullatat e Kosovës nëpër botë ishte 73.56 për qind, përkatësisht nga 20.324 persona të regjistruar për të votuar në përfaqësitë diplomatike, 15.552 prej tyre e shfrytëzuan këtë të drejtë.