Lumir Abdixhiku kritikon komunitetet joshumicë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar ndaj komuniteteve joshumicë, të cilat sot deklaruan se LDK i ka përjashtuar ata nga propozim për krijimin e qeverisë të tranzicionit.

Abdixhiku thotë se është për keqardhje për keqpërdorimin qe po u bëhet disa partive minoritare mbi propozimin tonë të fundit.

“Instrumentalizimi i tyre në përpjekjen e zgjidhjes politike e parlamentare, lë shenjë të rëndë në përfaqësimin e pakicave në Kosovë dhe marrëdhëniet e tyre me partitë shqiptare. Të pa interesuar me përmbajtje por fatkeqësisht të interesuar në kopjimin e gjuhës fyese të polarizuesve, tre përfaqësues minoritarë, anëtarë të kabinetit qeveritarë në detyrë, mbajtën sot Konferencë ku akuzuan LDK-në se nuk i ka përfshirë në propozimin tranzitor. Disa shkuan aq larg sa që për herë të parë në historinë e Republikës së Kosovës, e quajtën Lidhjen Demokratike – parti shoviniste”, ka theksuar ai.

Kreu i LDK-së, ka shkruar se “Ky qëndrim, kopjim i dëmshëm i urrejtjes së panevojshme, është instrumentalizim i ulët i përfaqësuesve të komuniteteve që sot duhet të kenë përfaqësim dinjitoz me të gjitha partitë parlamentare shqiptare.”.

“Mbi të gjitha, të jesh shqiptar nuk është krim. Të kërkosh bashkim ndër-shqiptar nuk është krim. Të kërkosh unitet politik brenda shqiptarëve nuk është krim. Bashkëpunimi politik ndërshqiptar është mision politik i Lidhjes Demokratike të Kosovës, që nga viti 1989 e deri më sot”, vijon reagimi i tij.

Më tutje, ai ka pohuar “Ç’është e vërteta, në 17 vite shtet, dakordimi mes partive shqiptare ka qenë parakusht i përfshirjes së mëpasshme minoritare; përfshirje e garantuar me Kushtetutë”.

“Me Kushtetutën e hartuar nga LDK. Gjersa fatkeqësisht, për herë të parë në historinë shtetare, përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë mbajnë anë partiake. Jo vetëm anë, por renditen në vargun e gjatë të akuzave kundër një partie shqiptare, madje në këtë legjislacion, dhe ndaj vullnetit të shumicës parlamentare shqiptare të përfaqësuar me 52 deputetë”, nënvizoi ai.

Abdixhiku thekson se  një qasje e tillë është e dëmshme dhe për komunitetet jo shumicë, dhe për demokracinë parlamentare.

“Për të gjithë me interes, sidomos për bashkëqytetarët tanë të nderuar nga komunitetet jo shumicë ja dhe teksti i plotë i letrës, që fatkeqësisht refuzohet të lexohet qëllimisht nga përfaqësuesit e juaj parlamentar:

“Qeveria Nacionale e Tranzicionit, e formuar nga të gjitha partitë shqiptare dhe, në përputhje me dispozitat kushtetuese, EDHE NGA PËRFAQËSUES TË PARTIVE TË KOMUNITETEVE JOSHUMICË, do të ketë afat të caktuar (deri në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri), qëllime të qarta politike dhe ekzekutive, program dhe agjendë ekzekutive të dakorduar, si dhe kryeministër dhe kabinet përfaqësues dhe unifikues”.

Ndryshe, deputeti i Kosovës, Elbert Krasniqi nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, ka folur në emër të partive politike të komunitetit joshumicë lidhur me propozimin e LDK-së për qeveri të tranzicionit.

Krasniqi pati kritika për kryetarin e LDK-së për të cilin tha se i ka përjashtuar partitë e komuniteteve joshumicë nga ky propozim. /Telegrafi/

Read Previous

PSG – Arsenal, sot luhet ndeshja tjetër e çmendur për një vend në finale

Read Next

Murati: Qasja e LDK-së është kthim në kohën e UNMIK-ut