Lukaku: Conte një herë pothuajse më përjashtoi nga Interi

Romelu Lukaku, sulmuesi i Napolit, ka folur për mikrofonat e “Radio CRC”, duke treguar përvojën e tij të parë me ekipin dhe qytetin.

Çfarë përfaqëson Napoli për ty?
Është një situatë shumë e bukur për mua dhe familjen time. Të jem në një qytet ku skuadra është e dashur nga populli është fantastike. Po argëtohem shumë me shokët e ekipit dhe me ata që më japin këshilla për të jetuar në këtë qytet të mrekullueshëm. Rezultatet ndihmojnë, po luajmë mirë dhe renditja e tregon këtë. Të gjitha këto gjëra janë të rëndësishme për karrierën time, pasi stabiliteti është kyç, dhe familja ime ndihet mirë këtu.

Cili ishte idhulli yt?
Didier Drogba, Ronaldo, Thierry Henry, Adriano dhe Nicolas Anelka. Nga secili prej tyre kam tentuar të mësoj diçka. Kur isha i vogël, shihja shumë futboll dhe kërkoja golat e tyre në internet. Për fat kam luajtur me dy prej tyre, një tjetër ka qenë trajneri im në kombëtare, edhe me Adrianon kam folur. Më mungon vetëm Ronaldo.

Çfarë mendoni për nivelin e Serie A?
Serie A po i afrohet Premier League. Kam qenë në Angli për nëntë vite dhe tani jam në vitin e pestë në Itali. Duhet të jem i sinqertë, rezultatet e skuadrave italiane në Europë tregojnë shumë. Fiorentina ka arritur dy herë në finale të ‘Conference League’, Roma e ka fituar atë, Atalanta fitoi ‘Europa League’, ndërsa Interi arriti në finalen e Champions League. Për të mos përmendur Europianin e fituar nga Italia më 2021 apo Napolin që arriti në çerekfinale të Champions-it. Dallimi kryesor është ekonomik, sepse në Angli shpenzojnë shumë për futbollin, por në fushë skuadrat italiane mund të konkurrojnë me ato të Premier League. Taktikisht, këtu jemi shumë më përpara, ndërsa në Angli arbitrat fishkëllejnë më pak.

Çfarë përfaqëson për ju Antonio Conte?
Të gjithë e dinë vlerën e tij si trajner dhe si person. Ai ka qenë i rëndësishëm për mua brenda dhe jashtë fushës. Kam mundur të hapem ndaj tij, të ndaj me të ndjenjat e mia. Ai e kupton qëllimin tim dhe sakrificat që bëj për futbollin. Detajet janë të rëndësishme për të, Conte e përmirëson çdo lojtar dhe kjo është diçka që më motivon shumë.

Një moment i veçantë me Conte…
Kur arrita tek Interi, gjatë një stërvitjeje nuk përfundova një bllok vrapimesh. Ai më thirri në zyrë dhe më tha që, nëse do të ndodhte sërish, do të përfundoja jashtë ekipit. Në ndeshjen e radhës kundër Sassuolos, ajo bisedë më dha nxitje të madhe dhe luajta shumë mirë. Kur u ritakuam te Napoli, ishte një moment i bukur. Ai më tha menjëherë: Le të punojmë sërish bashkë dhe të bëjmë diçka të mirë.

Si ndryshoi skuadra pas humbjes me Atalantën?
Mendoj se të dyja skuadrat janë forcuar. Kemi ende disa ditë për t’u përgatitur për këtë ndeshje, e dimë që do të jetë shumë e vështirë. Jemi një ekip që lufton si grup, por duhet të tregojmë forcë në çdo aspekt të lojës: mendërisht, fizikisht dhe taktikisht. Gasperini është një trajner që e respektoj shumë. Çdo ndeshje për ne është si një finale.

Cilët janë liderët e grupit te Napoli?
Di Lorenzo, Anguissa, Meret dhe Juan Jesus janë liderë. Unë përpiqem të jem një urë lidhëse, duke folur shumë gjuhë për ta bashkuar grupin. Di Lorenzo po bën një punë të shkëlqyer në organizimin e aktiviteteve jashtë fushës, si darkat e ekipit. Në fushë jemi një grup shumë i bashkuar.

Si është Lukaku jashtë fushës?
Jam shumë i qetë, më pëlqen të pushoj. Dëgjoj shumë muzikë, veçanërisht Kendrick Lamar dhe Drake. Kaloj kohë me fëmijët e mi dhe shikoj shumë futboll, pasi është pasioni im.

Çfarë ju ka impresionuar më shumë te Napoli?
Ka shumë gjëra për të parë, por më duhet një ditë e lirë për të eksploruar qytetin me shokët e ekipit. Ndoshta do t’i kërkoj ndihmë Di Lorenzos ose Mazzocchit për këtë. Pastaj janë ishujt, më duhet të filloj nga Napoli dhe më pas të vazhdoj me pjesët e tjera. /Telesport.al/

Read Previous

​Kurti: Sot është ditë e madhe për ekonominë e vendit

Read Next

Plan rus për bomba në avionë? Krejt çfarë duhet të dini rreth akuzave të Polonisë