Luis Figo ndodhet në Itali, konkretisht në Firence, për eventin prestigjioz “Pitti Uomo”. Portugezi prezantoi markën e tij të re të modës dhe gjatë intervistës për mikrofonët e TMW deklaroi:
“Jam sipërmarrës në shumë fusha biznesi. E kam nisur këtë projekt me partnerin tim, i cili gjithmonë ka punuar në botën e modës. Ai më sfidoi të krijoja markën time. Prej dy vitesh po punojmë për këtë projekt dhe sot jam në Pitti për herë të parë për të treguar idenë dhe koleksionin tonë. Shpresojmë të shesim jo vetëm koleksionin, por edhe emocione”.
A është më e vështirë të jesh futbollist apo sipërmarrës?
Janë dy gjëra të ndryshme. Futbolli ishte gjithë jeta ime për 20 vite. Pas tij fillova të merresha me sipërmarrjen. Në jetë, nëse nuk punon dhe nuk investon, nuk arrin asgjë.
Duke kaluar te futbolli, a mund ta fitojë Interi përsëri titullin në Serie A?
Interi gjithmonë do të jetë pretendent për ta fituar titullin, sepse është një nga skuadrat më të forta në Itali. Ka cilësinë e nevojshme për të vazhduar të fitojë dhe për të arritur objektivat e tij. Kjo është demonstruar gjithmonë, do ta bëjë edhe këtë vit.
Kalojmë te çështja e dëmtimeve. A mund t’i përballojë Interi mungesat e Mkhitaryan dhe Calhanoglu?
Interi ka një grup mjaft cilësor në dispozicion për t’i zëvendësuar këto dy lojtarë të rëndësishëm, të cilët kanë treguar se janë themelorë. Interi po bën mirë, jo vetëm nga ana sportive, por edhe nga ajo menaxheriale. Shpresoj që mungesa e këtyre lojtarëve të mos ndihet.
A ju ka habitur shpërthimi i Marcus Thuram?
Kam luajtur shpesh kundër babait të tij… Ai po shënon dhe po bën një punë të shkëlqyer. Është një lojtar i fuqishëm dhe i shpejtë, po i jep shumë Interit. /Telesport.al/