Trajneri i PSG-së, Luis Enrique, ka komentuar në një intervistë për “Sky Sport” pritshmëritë e finales së Champions League kundër Interit, duke vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe progresin e bërë nga skuadra e tij gjatë sezonit.
Për sezonin e PSG-së: “Nuk ishte e mundur ta dija 100% se do ta arrinim këtë nivel, por kur punon maksimalisht, është e rëndësishme të përgatitesh për çdo zhvillim të mundshëm. Nuk e di kurrë se çfarë do të ndodhë dhe si do të reagojë skuadra, por jemi përmirësuar shumë, krahasuar me fillimin e sezonit”.
Për yjet në skuadër: “Për mua, ka shumë yje në këtë PSG. Bukuria është se ata janë në funksion të skuadrës, jo e kundërta. Ndihem me fat që kam lojtarë me nivel të lartë, por puna e të gjithëve është në shërbim të kolektivit. Futbolli është një sport ekipor, kjo është gjëja më e rëndësishme për mua. Nuk varet nga individët”.
Për Interin dhe ndeshjen me Barcelonën: “E kam parë Inter-Barça 4-3 drejtpërdrejt dhe përsëri më vonë, edhe si tifoz i Barcelonës. Të dyja skuadrat meritonin finalen. Interi luan në nivel të lartë prej vitesh. Zikaltrit luajnë ndryshe nga të tjerët, dinë të luajnë lart apo ulët, kanë lojtarë si Lautaro dhe Thuram, dinë ta ndryshojnë mënyrën e presionit. Është një skuadër e vërtetë, ku të gjithë punojnë për kolektivin, por kanë edhe cilësi individuale të lartë. Të gjithë e dinë çfarë duhet të bëjnë. U shënuan më shumë gola se ç’mendoja. Interi nuk ishte kurrë në disavantazh dhe kjo tregon aftësinë e tij për të menaxhuar çdo moment të ndeshjes. Zikaltrit janë shumë të mirë në ndërtimin e aksioneve në pozicion të qetë dhe gjithashtu të rrezikshëm në goditjet standarde. Shpresoj që finalja të mos jetë si ato dy sfida gjysmëfinale. Atyre iu pëlqen zotërimi i topit, edhe ne kemi të njëjtën karakteristikë”.
Finale e re Champions-i, pas asaj të fituar me Barcelonën më 2015: “Të arrish në finalen e Champions-it është shumë e vështirë. Ajo që bëra me Barcelonën ishte e jashtëzakonshme, do guxoja të thoja, edhe pse të gjithë thoshin se ishte e lehtë të fitoje me atë skuadër, por kemi parë që nuk është aspak e thjeshtë. Këtu, me presidentin dhe këshilltarin, kemi përzgjedhur lojtarët që donim të merrnim. Kam në skuadër shumë lojtarë të nivelit të lartë, që luajnë me një mentalitet skuadre, gjë e rrallë në futbollin e sotëm. Edhe Interi e ka këtë mentalitet. Këtu është ndryshe nga Barcelona, por cilësia e lojtarëve dhe personaliteti i tyre e bëjnë punën më të lehtë”.
Për finalen e madhe të Mynihut: “Mendoj se do të jetë një finale e hapur, e luftuar, e bukur për t’u parë jo vetëm nga tifozët e dy skuadrave, por nga të gjithë. Më pëlqen shumë mënyra si luan Interi. Zikaltërve iu pëlqen të sulmojnë, vendosin shumë lojtarë në zona ofensive. Do të jetë një spektakël i vërtetë”. /Telesport.al/