Papa Françesku e ka quajtur luftën në Ukrainë “një masakër të pakuptimtë, ku kërditë dhe mizoritë po përsëriten çdo ditë”, në fjalimin dhe bekimin e tij javor të së dielës.
“I lutem të gjithë akterëve të komunitetit ndërkombëtar që të bëjnë një përpjekje reale për t’i dhënë fund kësaj lufte të neveritshme”, tha kreu i Kishës Katolike.
“Këtë javë, raketa dhe bomba goditën civilët, të moshuarit, fëmijët dhe nënat shtatzëna”, tha Papa Françesku, duke shtuar se ai vizitoi fëmijët e plagosur të trajtuar në Romë, shkruan CNN.
“Njërit prej tyre i mungon një krah, një tjetër i plagosur në kokë, fëmijë të pafajshëm”, tha Papa.
Tutje, Ai tha që t’i qëndrojmë pranë këtij populli të goditur, “t’i përqafojmë me dashuri dhe me përkushtim e lutje konkrete dhe ju lutemi mos u mësoni me luftën dhe dhunën”, shtoi ai.
/KlanKosova/