Spektatorët mund të fluturojnë mbi qiellin e Los Anxhelosit dhe t’i shpëtojnë trafikut famëkeq gjatë Lojërave Olimpike të vitit 2028, nëse realizohet plani i organizatorëve.
Sipas BBC, komiteti LA28 ka njoftuar një partneritet me kompaninë Archer Aviation për të ofruar taksi ajrore gjatë Lojërave Olimpike dhe Paralimpike. Kompania synon të përdorë një flotë avionësh për të transportuar tifozët drejt dhe nga vendet sportive.
Taksitë fluturuese janë një ide e vjetër që dështoi të realizohej në Lojërat e Parisit 2024 për shkak të mungesës së certifikimit nga autoritetet ajrore. Archer ende nuk është certifikuar nga FAA, por shpreson ta marrë këtë miratim këtë vit. Pa këtë, avionët nuk mund të përdoren komercialisht.
Nëse certifikimi merret në kohë, udhëtimet prej 10–20 minutash do të lidhin destinacionet kryesore olimpike. Çmimi pritet të jetë i krahasueshëm me një udhëtim luksoz me Uber.
Avioni “Midnight” i Archer-it, që mund të transportojë deri në katër persona, bën pjesë në kategorinë e “eVTOL”-eve, mjete elektrike me ngritje dhe ulje vertikale. Ai ka 12 motorë, lëshon më pak zhurmë dhe ndotje se një helikopter tradicional, dhe do të komandohet nga pilotë.
I mbështetur nga Boeing dhe United Airlines, Archer synon të prezantojë këtë teknologji si zgjidhje për trafikun në qytetet e ngarkuara. Kompania e sheh LA28 si një mundësi për të prezantuar publikisht këto fluturime të shkurtra urbane.
Qeveria britanike, për krahasim, ka parashikuar fluturimet e para me taksi ajrore në Mbretërinë e Bashkuar deri në vitin 2026.
Los Anxhelosi, që ka organizuar Lojërat më parë në vitet 1932 dhe 1984, ka shpallur se gjatë LA28 nuk do të lejohen makinat, një vendim ambicioz, sidomos pas dështimit për të zgjeruar sistemin e transportit publik./kp