Kylian Mbappé shpresonte t’i karikonte si duhet bateritë dhe të shijonte ditë të qeta me kombëtaren, pas një fillimi të vështirë të sezonit në Madrid. Dopieta ndaj Betisit, në ndeshjen e fundit para angazhimit me kombëtaren, pothuajse zgjidhi gjithçka, por “Les Bleus” e nisën keq në Ligën e Kombeve, duke humbur 3-1 në Paris, kundër Italisë.
Një disfatë që prodhoi shumë kritika ndaj ish-lojtarit të PSG-së, kapitenit të skuadrës së Deschamps. Bixente Lizarazu, ish-mbrojtës krahu i kombëtares transapline, komentoi në “L’Equipe”: “Konferenca për shtyp e Kylian Mbappé të enjten më befasoi dhe më turpëroi. Fjalët e përdorura ishin të papërshtatshme, jo ato të një lideri, aq më pak ato të një kapiteni.
Nuk mund të jesh i pandjeshëm ndaj ndjenjave të tifozëve të Francës, ndaj zhgënjimeve që mund të kenë ata, ndaj pikëpyetjeve që mund të kenë specialistët e fushës. Duhet të përpiqesh t’iu përgjigjesh atyre, të japësh shpresë. Kjo është pjesë e punës, në futboll vlen shumë lidhja emocionale që duhet të kesh me audiencën tënde”.
Ky ishte komenti i kampionit të botës në lidhje me fjalët e Mbappe, i cili kishte deklaruar se nuk mendonte fare për pritjen që do t’i rezervonin në “Parc des Princes”, stadiumin e PSG, pas largimit të tij kësaj vere falas te “Los Blancos”.
“Është pasojë e një situate tepër konfliktuale me ish-klubin e tij, gjatë së cilës aspekti jo sportiv kishte përparësi ndaj atij sportiv, – vijoi Lizarazu. – Ka momente në karrierën tuaj kur duhet të ndaloni, të përqendroheni përsëri te vetja.
Mendoj se kapiteni i Francës po kalon një moment të vështirë. Versioni më i mirë i Mbappé ndoshta daton në Kupën e Botës 2022 dhe ky është ai që duam. Sot nuk është më shpërthyes dhe vendimtar si në të kaluarën”. /Telesport.al/