Cody Gakpo ishte nën vëzhgimin e Manchester United prej shumë muajsh, që nga koha kur Erik ten Hag kaloi në krye të stolit në “Old Trafford”. Mirëpo, një “rrufe në qiell të hapur” ka ndodhur mbrëmjen e të hënës, teksa holandezi ka nënshkruar me rivalët e “Djajve të Kuq”, Liverpool-in.
23-vjeçari, i cili kishte paraqitje të mira me Holandën gjatë Kupës së Botës në Katar u kërkua nga Jurgen Klopp për të plotësuar boshllëkun e krijuar te Liverpool nga dëmtimet e Diogo Jota dhe Luis Diaz.
Ai do i kushtojë “të kuqëve” 50 milionë paund, prej të cilave 37 do të jenë si pagesë fikse dhe pjesa tjetër në formën e bonuseve.
Ishte vetë klubi i PSV Eindhoven që publikoi marrëveshjen e arritur për Gakpo-n me Liverpool.
“PSV dhe Liverpool kane arritur një marrëveshje për transferimin e Cody Gakpo. Sulmuesi 23-vjeçar do të largohet menjëherë për në Angli ku do t’i nënshtrohet formaliteteve të nevojshme përpara përfundimit të transferimit”, thuhet në njoftimin e klubit holandez.
Gakpo është paraqitur 159 herë për PSV-në, duke shënuar 55 gola dhe 50 asistime.
Mbrojtësi i Liverpool-it dhe Holandës, Virgil van Dijk, foli me zell për shokun e tij të skuadrës Gakpo gjatë Kupës së Botës 2022.
“Cody mund të shkojë në hënë dhe të kthehet”, tha Van Dijk gjatë turneut në Katar. “Ai është një lojtar shumë i mirë dhe gjithashtu një djalë i mirë. Ajo që ne shohim në stërvitje është ajo që shihni në fushë. Ka ende shumë potencial dhe shpresoj që ai të vazhdojë ta tregojë atë për ne. Jemi shumë të lumtur me të”.
Leeds ofroi 25 milionë paund plus bonuse për Gakpo në verë, por u refuzua me PSV duke besuar se propozimi nuk ishte shumë i favorshëm për ta. Ata kanë pritur për një marrëveshje rreth 45 milionë paund për holandezin.
Ndërkohë thuhet se United ishte tërhequr disi nga marrëveshja për Gakpo për shkak të Glazer-s që kërkojnë të shesin klubin. Megjithatë, objektivi primar i tyre ne merkato është gjetja e një qendërsulmuesi, ku emri më i përmendur është ai i Goncalo Ramos nga Benfica. /Albanianpost.com