Java e ardhshme e Premier League sjell një përballje tejet interesante, me Liverpool-in, që kryeson tabelën e klasifikimit dhe ndodhet në krye edhe në grupin e tij në Ligën e Kampionëve, kundër Manchester City-t. Ekipi i Guardiolës po kalon një krizë të pazakontë, duke mos fituar në 6 ndeshjet e fundit, ku ka pësuar 5 humbje, ka shënuar vetëm 4 gola dhe ka pësuar plot 14.
Për ndeshjen e së dielës, Gary Neville, ish-mbrojtësi i Manchester United dhe tani komentator i “SkySports UK,” ndau mendimin e tij në podcast-in “The Overlap”:
“Nuk e kam parë Manchester City kaq të brishtë që nga ardhja e Guardiolës. Për këtë arsye mezi pres të shoh ndeshjen në ‘Anfield,’ kundër Liverpool-it.”
Neville shtoi se paradoksi i situatës qëndron në faktin se presioni është më i madh mbi Liverpool-in, pasi pritshmëritë për fitoren e tyre janë rritur pas formës së dobët të City-t. “Personalisht mendoj se Liverpool-i do të dalë fitues, sepse me intensitetin që po shfaq, ka potencialin për të përballuar edhe një ekip si City,” përfundoi ai. /Telesport.al/