Lituania rrit pjesëmarrjen në KFOR

Shteti lituanez ka konfirmuar se do të dërgojë trupa ushtarake në Kosovë, në kuadër të misionit të KFOR-it, bashkë me Gjermaninë.

Kjo u bë e ditur nga ministria e mbrojtjes e këtij vendi gjatë Ministerialit të Paqes së OKB-së në Berlin, ku Lituania riafirmoi angazhimin e saj për paqen globale.

“Është planifikuar një pjesëmarrje e re e përbashkët në operacionin ndërkombëtar në Kosovë së bashku me trupat gjermane. Ministria e Mbrojtjes Kombëtare i ka paraqitur Kuvendit për shqyrtim një projekt-rezolutë, e cila propozon rritjen e numrit të trupave lituaneze në operacionin ndërkombëtar KFOR të udhëhequr nga NATO në Kosovë nga 5 në 60. Duke rritur numrin e trupave në këtë operacion, Lituania po forcon bashkëpunimin me partnerin e saj strategjik Gjermaninë, duke iu përgjigjur kështu kërkesës së Ministrisë së Mbrojtjes Gjermane”.

“Nëse Kuvendi miraton projekt-amendamentin e rezolutës, një togë ushtarësh të Forcave të Armatosura Lituaneze do t’i caktohet kompanisë gjermane që merr pjesë në operacionin KFOR të NATO-s në Kosovë. Rotacioni i parë gjysmëvjetor i trupave lituaneze është planifikuar të vendoset këtë vit”, ka thënë ministria lituaneze e mbrojtjes.

Për këtë ka reaguar edhe misioni gjerman në NATO, duke shkruar shkurtimisht: “Më të fortë së bashku”. /Klankosova.tv

Read Previous

Tifozat Kuq e Zi reagojnë për biletat e ndeshjes Shqipëri – Serbi

Read Next

Rohde: Anulimi i konferencës së Trendafilovas pas presionit të veteranëve, ngre shqetësime të mëdha