Ligji i pagave në Qeveri, 130 euro koeficienti, rekomandimet që kanë dhënë SBASHK dhe FSSHK

Projektligji për Pagat ka qenë në diskutim publik, ku kushdo që ka pasur sugjerime apo kërkesa, ka mundur t’i dërgojë ato.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë treguar se janë dërguar komente nga shumë institucione, shoqëria civile, sindikatat dhe qytetarë.

Nora Fetoshi, zëdhënëse në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka thënë se komentet po shqyrtohen nga zyrtarët përgjegjës në ministri dhe më pas Projektligji do të dërgohet për vlerësim të ndikimit financiar si dhe për vlerësim të përputhshmërisë me acqui të BE-së, e pastaj në Qeveri për shqyrtim dhe votim.

“Gjatë fazës së konsultimeve paraprake si dhe atyre publike, Ministria e Punëve të Brendshme ka pranuar komente nga shumë institucione, shoqëria civile, sindikatat dhe qytetarë. Këto komente janë duke u shqyrtuar nga zyrtarët përgjegjës të Ministrisë. Pas adresimit të komenteve, Projektligji do të dërgohet për vlerësim të ndikimit financiar si dhe për vlerësim të përputhshmërisë me acqui të BE-së. Pas përfundimit të këtyre procedurave, Projektligji do të procedohet në Qeveri për shqyrtim dhe votim”, ka thënë Nora Fetoshi

Komente për Projektligjin e Pagave ka dërguar SBASHK-u.

Blendor Shatri, jurist në SBASHK, ka treguar kërkesat që kanë pasur.

“Ne si SBASHK kemi dorëzuar kërkesat tona gjatë diskutimit publik. Kërkesa ka qenë që të përmirësohet ky ligj. Një gjë tjetër ka qenë që koeficienti të përcaktohet me ligj të pagave dhe jo siç po planifikojnë ata që të caktohet përmes ligjit për buxhetin. Pikë tjetër ka qenë kërkesa që ligji të hyjë sa më shpejt në fuqi”, ka thënë ai.

Shatri ka theksuar se kanë kërkuar që koeficienti të fillojë me 130 euro, me mundësi të rritjes.

“Ne kemi kërkuar që koeficienti të fillojë me 130 euro, me mundësi rritje varësisht prej rritjes ekonomike dhe parametrave tjerë për rritje të pagave”, ka shtuar ai.

Por, çfarë do të bëjë SBASHK-n nëse nuk merren parasysh këto kërkesa dhe projektligji dërgohet në Qeveri dhe Kuvend pa kërkesat e tyre?

“SBASHK-u do të mblidhet paraprakisht para se të bëhet miratimi përfundimtar i projektligjit, qoftë me grupet parlamentare ose deputetët. Ndërsa, nëse nuk merren parasysh mendimet e SBASHK-ut, patjetër që do të marrim hapa, por cilët janë ata hapa tani nuk mund të deklarohemi”, ka deklaruar Blendor Shatri për Gazeta Blic.

Edhe Tavide Imeri, kryetare e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, ka treguar se i kanë dërguar kërkesat për këtë projektligj.

“Një prej rekomandimeve që kemi nisur si sindikatë është që të mos ketë diskriminim brenda komuniteteve, pastaj kemi kërkuar që Ligji të hyjë menjëherë në fuqi pas shpalljes në Gazetën Zyrtare”, ka deklaruar ajo. /GazetaBlic/

Read Previous

Presidentja ​Osmani: Jemi të gatshëm për intensifikim të dialogut

Read Next

Zelensky: Blerja e dronëve iranian është dëshmi e bankrotimit ushtarak dhe politik të Rusisë