Pse u shkarkua Blerim Isufaj? KPK publikon arsyetimin e vendimit
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) i ka listuar në mënyrë të detajuar arsyet që çuan në shkarkimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Blerim Isufajt.
KPK shkarkimin e Blerim Isufajt e ka arsyetuar me keqmenaxhim të Prokurorisë Speciale, me jokompetencë në ushtrimin e funksionit të Kryeprokurorit, dështim në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të përcaktuara me ligj për pozitën e Kryeprokurorit dhe mospërmbushje të standardeve të kërkuara të performancës.
Ndër rastet e listuara nga KPK për shkarkimin e Isufajt është edhe hulumtimi i KALLXO.com për rastin e 1 milionëshit, ku të dyshuarit për shpëlarje të parave u liruan nga masa e paraburgimit, pasi sipas Gjykatës, Prokuroria Speciale nuk kishte arritur të argumentonte kryerjen e veprës penale nga të dyshuarit.
Sipas vendimit të KPK-së, të marrë më 2 tetor 2026, Blerim Isufaj, pas largimit nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, vazhdon ushtrimin e funksionit të prokurorit të shtetit në PSRK.
Në arsyetimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës thuhet se në takimin e 301-të, të mbajtur më 02 shtator 2026, KPK ka shqyrtuar raportin vjetor të Prokurorisë Speciale për vitin 2025. Kurse në takimin e 304-të, të mbajtur më 1 tetor 2026 Këshilli ka shqyrtuar dhe miratuar raportin krahasimor lidhur me efikasitetin e prokurorive për zgjidhjen e lëndëve 2023-2025 si dhe raportet për vlerësimin e performancës.
Në vendimin e KPK-së thuhet se në bazë të gjetjeve, Prokuroria Speciale radhitet si prokuroria me efikasitetin më të ulët në nivel vendi për vitet 2023, 2024 dhe 2025.
Në këtë vendim thuhet se në bazë të vlerësimit të rregullt të performancës Këshilli Prokurorial ka konstatuar se Isufaj ka bërë:
– keqmenaxhim të Prokurorisë Speciale,
– jokompetenca në ushtrimin e pozitës së Kryeprokurorit,
– dështimi në kryerjen e detyrave të pozitës së Kryeprokurorit,
– mospërmbushja e standardeve të vërtetuar me vlerësimin e performancës,
– mospërmbushja e standardeve të performancës, e vërtetuar me vlerësimin e performancës e datës 14 shtator 2026, të kryer në pajtim me ligjin, rrethana këto që, secila veçmas, përbëjnë shkak për largim nga pozita.
Në vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës thuhet se neni 22 paragrafi 5 parasheh shkaqe alternative për largim.
Sipas vendimit, secili shkak është i mjaftueshëm më vete, si dhe Këshilli e ka vlerësuar secilin veçmas në bazë të fakteve konkrete dhe të provave që i mbështesin ato, e jo në bazë të vlerësimeve të përgjithshme.
Në vendimin e KPK-së thuhet se Ligji për Prokurorin e Shtetit e përcakton në mënyrë të qartë e të prerë raportin mes rregullit dhe përjashtimit.
Në vendim thuhet se rregulli është që ndarja e lëndëve bëhet në mënyrë elektronike përmes sistemit elektronik, ndërsa përjashtimi është ndarja manuale, që lejohet vetëm në raste specifike.
Sipas KPK-së, në Prokurorinë Speciale ky raport është përmbysur, ashtu që përjashtimi është kthyer në rregull, ndërsa rregulli ligjor ka mbetur pa zbatim.
“Mungesa e vendimeve të arsyetuara e rëndon shkeljen, sepse e bën të pamundur verifikimin nëse ka ekzistuar ndonjë rast specifik që do ta justifikonte ndarjen manuale. Përjashtimi nuk arsyetohet, nuk është përjashtim ligjor, por veprim arbitrar.” – thuhet në vendim.
Sipas vendimit, ndarja elektronike dhe e rastësishme e lëndëve nuk është çështje teknike, mirëpo ajo është garanci institucionale që asnjë person, përfshirë vetë Kryeprokurorin, të mos përcaktojë se cili prokuror do të veprojë në cilën lëndë.
“Rreziku që kjo garanci synon të parandalojë është më i rëndë në Prokurorinë Speciale se kudo tjetër, sepse kjo prokurori ka juridiksion mbi korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar, ku kontrolli mbi caktimin e prokurorit mund të ndikojë drejtpërdrejtë në drejtimin dhe rezultatin e hetimit.” – thuhet në vendim.
Vendimi thot se duke e mbajtur ndarjen e lëndëve nën kontroll të drejtpërdrejtë njerëzor, pa kritere objektive dhe pa arsyetim, Blerim Isufaj ka cenuar parimet e paanshmërisë, transparencës dhe integritetit institucional, si dhe detyrimin për ushtrimin efikas dhe efektiv të funksioneve sipas Ligjit për Prokurorin e Shtetit.
Sipas vendimit, qasja e Isufajt ka prodhuar edhe pasoja konkrete brenda PSRK-së, si: shpërndarje të pabarabartë të ngarkesës, mbingarkesës të disa prokurorëve në raport me të tjerët dhe përceptim për trajtim të pabarabartë.
Në vendim thuhet se kjo është vërtetuar nga statistikat e ngarkesës me lëndë për prokuror. Tutje, në vendim theksohet se konstatimi i Komisionit Europian e konfirmon se pasojat e kësaj praktike nuk kufizohen në funksionimin e brendshëm, si dhe prekin sistemin prokurorial në tërësi.
“Shkelja nuk mund të trajtohet si lëshim administrativ i izoluar. Ajo është përsëritur vazhdimisht dhe është vazhduar edhe pasi Këshilli ka kërkuar ta adresojë drejtpërdrejt me Kryeprokurorin, i cili ka refuzuar takimin për çështjen e SMIL-it.”- thuhet në vendim.
Në arsyetimin e vendimit të KPK-së thuhet se shkelja e vetëdijshme dhe e vazhdueshme e një dispozite ligjiore që rregullon drejtpërdrejt funksionin menaxherial përbën keqmenaxhim dhe në kryerjen e detyrave të pozitës.
Në vendim thuhet se referuar raportit krahasimor 2023-2025, të miratuar më 1 tetor 2026, Prokuroria Speciale radhitet në nivelin më të ulët të efikasitetit sipas viteve të sipërpërmendura.
– Në vitin 2023, përqindja e lëndëve të zgjidhura në raport me numrin e lëndëve në punë nga PSRK është vetëm 14.33%.
– Në vitin 2024 përqindja e lëndëve të zgiidhura në raport me numrin e lëndëve në punë nga PSRK është 18.62 %.
– Në vitin 2025 përqindja e lëndëve të zgiidhura në raport me numrin e lëndëve në punë nga PSRK është 23.52%.
Sipas KPK-së, nëse për tri vite radhazi një prokurori mbetet në nivelin më të ulët të efikasitetit dhe nuk evidentohet një ndërhyrje menaxheriale efektive që të ketë prodhuar përmirësim të matshëm, kjo ngre çështjen e mospërmbushjes së një prej kompetencave dhe përgjegjësive themelore të Kryeprokurorit: udhëheqjen dhe menaxhimin efektiv të institucionit.
Tutje KPK në lidhje me keqmenaxhimin e kësaj Prokurorie nga Isufaj ka renditur këto arsye:
– Nuk ka ndonjë raport që e arsyeton pse në sirtarët e kësaj Prokurorie ka raste që presin me vite;
– Nuk ka arsye se përse disa prokurorë janë ngarkuar me lëndë jashtë departamentit të tyre dhe shpërndarja e lëndëve është bërë në mënyrë manuale dhe preferenciale, jo me SMIL ashtu siç ka qenë obligim;
– Nuk ka pasur vlerësim objektiv të prokurorëve;
– Nuk ka pasur vëzhgim të prokurorëve të Prokurorisë Speciale në seanca gjyqësore siç parashihet me Rregulloren për vlerësimin e performancës së prokurorëve;
– Ka pasur mosrealizim të shqyrtimit të detyrueshëm të lëndëve siç kërkohet me dispozitën e nenit 154 të Kodit të Procedurës Penale;
– Ka kufizuar prokurorët për të hapur raste penale me vetiniciativa pa aprovimin e tij, duke cenuar pavarësinë funksionale të prokurorëve të asaj prokurorie;
– Nuk janë mbajtur kolegjiume të rregullta me prokurorët e PSRK-së siç përcaktohet me aktet nënligjore në fuqi.
Tutje, ky vendim thot se janë marrë për bazë edhe konstatimet nga raportet e organizatave më kredibile, siç është OSBE-ja. Sipas vendimit, në raportin e kësaj të fundit, të publikuar më 2026, për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshin nivelin e lartë dhe kontekstin e prokurimit publik që bie në kompetencë ekskluzive të PSRK-së.
1. Prokuroria Speciale ka parë një rritje të kapacitetit të saj, duke rritur numrin e prokurorëve dhe duke zgjeruar stafin e saj mbështetës. Megjithatë, kjo rritje numerike nuk është përkthyer në efikasitet operativ kundër krimit të organizuar.
2. Sa u përket ekipeve të përbashkëta të hetimit kjo sipas raportit mbetet një pikë e dobët. Edhe pse Rregullorja u finalizua në vitin 2025 (duke mandatuar Prokurorin Special si drejtues të procesit), zbatimi praktik mungon. Midis viteve 2022 dhe 2025 u zhvilluan hetime dhe operacione të përbashkëta, por EPH-të e formalizuara – veçanërisht në nivel vendas për të luftuar krimet komplekse financiare – rrallë përdoren në mënyrë efektive.
3. Sipas raportit të OSBE-së, në shumicën e rasteve, veprimet hetimore dukeshin të pamjaftueshme, të fokusuara ngushtë ose të ndërmarra në një fazë të mëvonshme të procedurave. Hetimet financiare shpesh nuk filluan në mënyrë sistematike në fillim të çështjes, pavarësisht natyrës së veprave penale (krim i organizuar, korrupsion, pastrim parash), që kërkonin qartë një qasje paralele “ndjekje të parave”.
4. U raportua mungesë informacioni publik mbi grupet kriminale që veprojnë në Kosovë, si dhe mungesë hetimesh mjaftueshëm të sofistikuara për krimet ndërkombëtare. Një shembull është trafikimi i drogës. Nocioni i krimit të organizuar është pothuajse gjithmonë i lidhur me trafikimin e drogës. Në këto raste, edhe kur ka konfiskime të mëdha narkotikësh, nuk ka ndjekje të mjaftueshme dhe hetimet ndalen, për shembull, me arrestimin e shoferit të automjetit që përmbante drogën.
5. Cilësia e hetimeve, ndjekjeve penale dhe aktakuzave: Cilësia përfundimtare e procedurave penale është alarmante. Përafërsisht 70% e rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit dështojnë në gjykatë për shkak të gabimeve themelore në mënyrën se si është ndërtuar hetimi. Çështja kryesore është se 81% e aktakuzave për korrupsion përfundojnë me dështim.
6. OSBE ka theksuar në raport një të metë sistemike të përsëritur siç është dështimi i prokurorëve për të përfshirë dëmin financiar në aktakuzë. Pa përcaktuar dëmin, hetimet financiare nuk mund të vërtetohen dhe sekuestrimi i aseteve bëhet ligjërisht i pamundur. Procesi gjyqësor pengohet më tej nga vonesa të mëdha; mund të duhen deri në 15 vjet për të siguruar një vendim të shkallës së parë, duke rezultuar në “drejtësi ashensori” dhe një humbje totale të kujtesës institucionale.
7. Cilësia e provave të paraqitura nga prokuroria nuk është gjithmonë e qëndrueshme, gjë që paraqet një sfidë. Aktakuzat nganjëherë raportohen të jenë me cilësi të ulët dhe që nuk përmbushin standardin e pritur. Të dyja çështjet duket se janë të një natyre sistemike. Ato lidhen, nga njëra anë, me mangësitë në kryerjen e hetimeve gjatë fazës paraprake, duke përfshirë kapacitetet e kufizuara hetimore, bashkëpunimin e pamjaftueshëm ndërinstitucional, bashkëpunimin e pamjaftueshëm ligjor ndërkombëtar, kufizimet burimeve dhe afatet kohore të zbatueshme për kohëzgjatjen e hetimit. Nga ana tjetër, ato gjithashtu tregojnë nevojën për të forcuar më tej llogaridhënien dhe përgjegjësinë profesionale brenda shërbimit të prokurorisë. PSRK-ja nxori një strategji të veçantë për hetimet me qëllim sigurimin dhe përmirësimin e një “mentaliteti hetimor”, megjithatë, zbatimi mbetet i dyshimtë dhe strategjia e përgjithshme mund të imponojë detyra shtesë burokratike për prokurorët.
Tutje, në këtë vendim janë listuar disa raste që, ish-kryeprokurori Isufaj ka refuzuar apo abstenuar të ushtrojë kompetencat e veta në cilësi të autoritet kompetent.
Rasti i parë ka të bëjë me mosrealizim të kompetencave ligjore si autoritet kompetent ndaj një prokurori të Prokurorisë Speciale, i cili gjatë trajtimit të rastit ku janë liruar të dyshuarit për transportin e 1 milion eurove, ku gjykata ka konstatuar se prokurori në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit nuk ka përmendur asnjë provë sado sipërfaqësore në të cilin mbështetet pretendimi lidhur me dyshimin e bazuar.
Vendimi thot se si pasojë e mosveprimit të prokurorit të çështjes, Gjykata është detyruar që të urdhërojë lirimin e të dyshuarve në këtë çështje.
Rasti i dytë, sipas vendimit, ka të bëjë me lirimin e katër personave të dyshuar për veprat “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar”, “Blerja, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Shpëlarje e parave” pasi PSRK ka bërë kërkesë për vazhdimin e masës së paraburgimit pas afatit ligjor.
Në vendim thuhet se Gjykata Supreme e Kosovës ka konstatuar se kërkesa për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj katër të pandehurve ishte paraqitur në gjykatë pas afatit ligior dhe si pasojë e kësaj Gjykata Supreme ua ka ndërprerë të pandehurve paraburgimin dhe të njëjtit janë lëshuar për t’u mbrojtur në liri.
Tutje, vendimi thot se Isufaj kishte refuzuar të presë në takim Komisionin për Buxhet, Financa dhe Administrim të Prokurorive, dhe se këtë e ka pranuar vetë ai në takimin e 2 shtatorit 2026.
Ky veprim, sipas KPK-së, përbën dështim në kryerjen e detyrave dhe nënkupton mospëgjigje ndaj kërkesave të KPK-së, gjë që ligjërisht është i detyruar të përgjigjet.
Në vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës thuhet se Isufaj në vlerësimin e performancës, është notuar me notën mjaftueshëm, dhe se kjo nënkupton se ai nuk ka plotësuar standardin e kërkuar me Ligj për KPK.
Isufaj ishte emëruar për të dytin mandat me radhë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2023.
Një muaj më parë, Blerim Isufaj kishte përplasje verbale gjatë raportimit të tij para anëtarëve të KPK-së në lidhje me sistemin për menaxhimin e lëndëve (SMIL).
Blerim Isufaj ishte propozuar për Kryeprokuror të Shtetit nga 16.04.2022 por që dekretimi i Isufajt kishte ngecur në zyrën e atëherë presidentes Vjosa Osmani.
Më 21.04.2022, Besim Kelmendi ishte zgjedhur ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit. Besim Kelmendi në mbledhjen e 20.11.2025 të Këshillit Prokurorial të Kosovës u shkarkua nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Ai kishte ushtruar padi ndaj KPK-së, duke kërkuar anulimin e vendimit të Këshillit.
Shkarkimi i Besim Kelmendit erdhi një ditë pasi ai e ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media, në të cilën i ka mohuar raportimet se ka bashkëpunuar me gjyqtaren serbe, Danica Marinkoviq, më 1999, e cila e kishte përsipër rastin e masakrës së Reçakut.
Pas shkarkimit të Kelmendit, KPK-ja ka emëruar Agron Qalajn u.d. Kryeprokuror të Shtetit.
Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka anuluar vendimin e KPK-së, i cili e kishte shkarkuar nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit Besim Kelmendin.
Më 22.12.2025 Besim Kelmendi kishte bërë kërkesë që të lirohet nga pozita e u.d. Kryeprokurorit të Shtetit.
Këshilli Prokurorial i Kosovës më 05.04.2023 i ishte drejtuar Zyrës së atëherë presidentes Vjosa Osmani me kërkesë për dekretimin e Blerim Isufajt në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Blerim Isufaj ishte votuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të ri të Shtetit. Me 11 vota pro Blerim Isufaj ishte nominuar për Kryeprokuror të ri të Shtetit. I njëjti nuk ishte dekretuar nga presidentja.
Pas disa vitesh pa Kryeprokuror, Kryeprokurori i ri i Shtetit është zgjedhur në korrik 2026.
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, më 14.07.2026 i kishte dorëzuar Zejnullah Gashit dekretin për emërimin në detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Prokurori i Prokurorisë Speciale, Dren Paca, së fundmi është caktuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës si ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, më 02.10.2026 pas shkarkimit të Blerim Isufajt nga pozita e Kryeprokurorit të PSRK.
Vendimin e plotë mund ta gjeni duke klikuar këtu – LINK