Ministri Jagxhiu: Internet falas në 43 lokacione publike në 33 komuna të Kosovës
Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, u ka bërë thirrje banorëve të kryeqytetit ukrainas që të shqyrtojnë mundësinë e largimit të përkohshëm nga qyteti, për shkak të intensifikimit të sulmeve ruse. Ndërkohë, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka deklaruar se Rusia duhet t’i japë fund luftës, duke riafirmuar mbështetjen e Bashkimit Evropian për Ukrainën.
Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, u ka këshilluar banorëve që kanë miq ose familjarë jashtë kryeqytetit të shqyrtojnë mundësinë e zhvendosjes së përkohshme, në përgjigje të rritjes së sulmeve ruse.
“Çdo ditë ka raportime të reja për ndërtesa të shkatërruara, njerëz të plagosur ose të vrarë, ndërsa bombardimet ndaj qytetit tonë po intensifikohen. Sot bëhet fjalë për mbijetesë”, ka deklaruar Klitschko.
Ai ka theksuar se nuk po kërkon evakuimin e plotë të Kievit, duke argumentuar se një skenar i tillë do të ishte në interes të presidentit rus, Vladimir Putin.
Autoritetet e kryeqytetit po përgatiten për dimrin, duke siguruar burime alternative të ngrohjes dhe duke krijuar rezerva karburanti, ushqimi dhe uji të pijshëm. Klitschko ka paralajmëruar se dëmtimi i infrastrukturës së furnizimit me ujë mund të shkaktojë një krizë të rëndë humanitare.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka bërë të ditur se e ka ftuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, të marrë pjesë personalisht në takimin e ardhshëm të Këshillit Evropian, për të diskutuar situatën në Ukrainë.
Costa ka thënë se me Zelenskyn ka diskutuar edhe përparimin e Ukrainës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Ne mezi presim hapjen e dy grupeve negociuese javën e ardhshme dhe të gjitha grupeve të mbetura deri në fund të vitit”, ka deklaruar ai.
Sipas Costas, intensifikimi i sulmeve ruse ndaj Ukrainës, përfshirë objektivat civile, si dhe aktivitetet hibride kundër vendeve anëtare të BE-së, dëshmojnë se Moska nuk është vërtet e interesuar për negociatat e paqes.
“BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën derisa të arrihet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme. Është koha që Rusia t’i japë fund luftës së saj”, ka theksuar Costa.
Sulme me viktima dhe dëme infrastrukturore
Ushtria ruse ka vazhduar sulmet në disa pjesë të Ukrainës. Në Kramatorsk, një sulm në një rrugë ku po kalonin dy autobusë ka shkaktuar 33 viktima dhe 18 të plagosur. Ndërkaq, në Kiev, sulmet ruse kanë lënë të vrarë të paktën tre persona dhe të plagosur 14 të tjerë.
Forcat ukrainase janë kundërpërgjigjur me sulme në territorin rus. Pas një sulmi me dronë ukrainasë, një zjarr ka shpërthyer në qendrën e të dhënave të kompanisë Yandex, në rajonin e Ryazanit. Kompania ka njoftuar se nuk ka pasur të lënduar, por një pjesë e infrastrukturës është dëmtuar.
Delegacioni negociator ukrainas ndodhet në Shtetet e Bashkuara, ku pritet të takohet me të dërguarin amerikan Steve Witkoff dhe Jared Kushner. Në agjendë janë përshpejtimi i ndihmës financiare për Ukrainën dhe forcimi i mbrojtjes ajrore.
Nga ana tjetër, Moska ka deklaruar se aktualisht nuk ka plane për rifillimin e negociatave trepalëshe me Shtetet e Bashkuara dhe Ukrainën për përfundimin e luftës.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka vlerësuar se konflikti ndodhet në një ngërç të rrezikshëm, duke paralajmëruar se përshkallëzimi mund të shndërrohet në një konflikt rajonal shumë më të gjerë.
Ndërkohë, NATO ka riafirmuar mbështetjen për Ukrainën, duke theksuar se aktivitetet hibride të Rusisë po e forcojnë solidaritetin e aleatëve me Kievin.
Në zhvillimet diplomatike, Koreja e Jugut ka vendosur të tërheqë ambasadorin e saj nga Ukraina, pas një mosmarrëveshjeje me Kievin lidhur me publikimin e informacioneve për të burgosurit e luftës nga Koreja e Veriut.
Luftimet dhe sulmet ndaj infrastrukturës vazhdojnë, ndërsa Ukraina kërkon mbështetje shtesë ushtarake dhe financiare nga partnerët perëndimorë, në një kohë kur perspektiva e rifillimit të negociatave të paqes mbetet e pasigurt. /RTKlive