Udhëheqësit e G7-ës kanë rënë dakord të vendosin sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë, teksa riafirmojnë mbështetjen e tyre për Ukrainën.
Grupi, i cili përbëhet nga Britania e Madhe, ShBA-ja, Japonia, Italia, Gjermania, Franca dhe Kanadaja, bënë të ditur se paketa e re e sanksioneve do të “rrisë kostot për Rusinë dhe ata që po mbështesin përpjekjet e saj të luftës”, shkruan Skynews.
Sektorët kryesorë që do të synohen përfshijnë prodhimin, ndërtimin dhe transportin si dhe shërbimet e biznesit.
G7-ta ka zbatuar sanksione që nga shkurti i vitit të kaluar kur Rusia nisi për herë të parë pushtimin e saj.
Është kritikuar se nuk ka shkuar aq larg sa duhet, por udhëheqësit kanë thënë se sistemi “po funksionon” dhe se “të ardhurat” e Rusisë janë ulur.
“Ne i bëjmë thirrje Rusisë të ndalojë agresionin e saj të vazhdueshëm dhe të tërheqë menjëherë, plotësisht dhe pa kushte trupat dhe pajisjet e saj ushtarake nga i gjithë territori i njohur ndërkombëtarisht i Ukrainës”, tha G7 në një deklaratë të përbashkët.
“Rusia e filloi këtë luftë dhe mund t’i japë fund kësaj lufte” thuhet në deklaratë.
/KlanKosova/