Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka zbuluar detaje nga takimi i shumë përfolur, Albin Kurti – Aleksandar Vuçiq në Bruksel. Në një intervistë për BBC ai ka folur edhe për atë se çfarë pritet të ndodh sot në Prishtinë në takimet e radhës.
Lajçak ka thënë se vizita në Prishtinë dhe më pas edhe në Beograd do të jetë për të vazhduar bisedimet aty ku kanë mbetur të enjten, ditën e takimit në Bruksel.
Edhe përkundër që nuk ka pasur ndonjë rezultat konkret në çështjet që janë diskutuar, Lajçak për BBC ka thënë se “takimi s’ka qenë i kotë”.
Emisari sllovak ka thënë se ka një vëmendje të madhe të përqendruar në procesin e negociatave dhe se pritshmëritë janë tepër të larta.
Për takimin e fundit Kurti-Vuçiq në Bruksel, Lajçak ka thënë se ka qenë një raund i ndryshëm, i përcjellë me diskutime profesionale. Emisari sllovak ka thënë se Kurti dhe Vuçiq s’janë grindur dhe kanë respektuar qëndrimet e njëri-tjetrit.
“Ishte një raund shumë i ndryshëm. Ne patëm një diskutim shumë profesional, të fokusuar dhe me respekt, por ata nuk u grindën, ata respektuan vizionet e njëri-tjetrit dhe ishin të vetëdijshëm për dallimet”, ka thënë Lajçak për BBC.
“A do të thotë kjo se ata kanë pasur një grindje më parë?”, ka pyetur BBC.
“Atmosfera në këtë takim ishte shumë më e mirë, mund të them shumë.”, është përgjigjur Lajçak.
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi tutje ka thënë se Brukseli ka gjithmonë disa zgjidhje gati por që fillimisht inkurajohen palët për të treguar se si mendojnë ta zgjidhin problemin.
“Nuk është kurrë parim “merre ose lëre”, por është gjithashtu profesionale që ne gjithmonë të kemi propozime që i vendosim në tryezë”, ka shtuar Lajçak teksa ka folur për negociatat.
Tutje ai ka folur edhe për çështjen e dokumenteve për hyrje-dalje, duke thënë se duan të shmangin skenarët e këqij.
“Unë mund të imagjinoj çdo situatë, duke përfshirë që të dyja palët të ndalojnë lëshimin e dokumenteve të tilla, por edhe skenarë shumë më të keq – ne duam t’i shmangim ato gjithashtu.”, ka thënë Lajçak.
Ai ka thënë se Brukseli ka disa propozime që janë aktuale, por që nuk dëshiron që të flas për to, meqë ende janë në diskutim e sipër”
“Ne kemi disa propozime që janë aktuale, por sigurisht që nuk do të ndihmonte të flitej publikisht për to ndërkohë që jemi ende duke i diskutuar”, ka thënë Lajçak.
/GazetaSinjali/