Kuvendi i Shqipërisë: Nuk ka humbje të të dhënave nga sulmi kibernetik

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka bërë me dije se nuk ka humbje të të dhënave pas hakerimit të ndodhur një ditë me parë dhe të marrë përsipër nga grupi “Homeland Justice”.

Kështu Kuvendi thekson se po punohet për rikuperimin e faqes online, dhe se ekspertët po hetojnë se çfarë pasojash ka sjellë ky sulm.

Një ditë më parë, nëpërmjet një postimi në “Telegram”, grupi i hakerave thotë se faqja e Kuvendit është në duart e tyre.

“Do të paguajnë edhe uzurpuesit e ulëseve të Kuvendit. Deputetët e korruptuar së shpejti do të shkatërrohen kur të kuptojnë se si demoni i tyre i brendshëm po i demonstrohet çdo kërkuesi të së vërtetës”, thuhet në postimin e bërë nga grupi.

Gjithashtu Homeland Justice ka hakeruar edhe faqen e dosjeve tatimore, të autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Air Albania dhe One.

Sipas tyre, One Albania duhet të marrë një mësim, për ofrimin e shërbimeve të saj te kampi i muxhahedinëve MAK Albania.

Homeland Justice gjithashtu siguron kompanitë shqiptare se janë të sigurta, vetëm nëse nuk bashkëpunojnë me MAK Albania.

Homeland Justice prej më shumë se 1 viti ka hakeruar disa sisteme shërbimi në Shqipëri, publike dhe private. /Albanianpost.com

Read Previous

Broja afër largimit, Chelsea i vendos çmimin “yllit” të Kombëtares shqiptare

Read Next

Policia me tjetër aksion në Veri, po kontrollon për mallra të kontabanduara