Kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj tha se presin që procesi i gradimit për rreshter në Policinë e Kosovës të kthehet në pikën zero. Të gjeturat nga inspektimi, ai shtoi se tregojnë për cenim të kredibilitetit të këtij procesi.
Gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Hodaj theksoi se në këtë konkurs ka pasur lëshime. Anëtarët e këtij komisioni kanë thënë se ky raport obligon Policinë e Kosovës që të anulojë konkursin e gradimit për rreshter. Pas mbledhjes së këtij Komisioni, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka anuluar konkursin për gradimin me gardën rreshter të shpallur më 12 shkurt të këtij viti.
Kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj tha se raporti tregon edhe për nevojën e rishikimit të bazës ligjore aktuale.
“Si rezultat i këtij inspektimi ne kemi zhvilluar një numër të konsiderueshëm të takimeve, të intervistave, kemi siguruar materiale që lidhen me procesin dhe me informacionet që lidhen me të gjitha çështjet prej fillimit të procesit e deri në përfundim. Kemi ardhur në fazën ku kemi hartuar një dokument me listën e të gjeturave dhe kemi dhënë një numër të rekomandimeve se si duhet të përmirësohen çështjet të cilat i kemi ngritur. Siç e kemi shkruar në raport, kemi vënë në pah se procesi i gradimit është përcjellë me disa lëshime, si rezultat që janë ngritur shqetësime edhe prej kandidatëve që kanë qenë pjesë në këtë proces. Kemi vënë në pah nevojën e rishikimit të bazës ligjore aktuale, duke marrë parasysh nevojën e harmonizimit të Udhëzimit Administrativ dhe programit të trajnimit themelor si dhe respektimit të kritereve të aplikimit, për shkak se ne kemi gjetur që ka një harmonizim të qartë ose nuk ka kritere të qarta të kohëzgjatjes dhe niveleve të gradës që duhet të kenë kandidatët për të fituar të drejtën për të aplikuar në konkursin për të arritur gradën e rreshterit”, deklaroi Hodaj.
Tutje, Hodaj theksoi se në këtë proces u është mundësuar pjesëmarrja edhe një gjenerate, ani pse nuk përmbushin kriteret.
“Pjesëmarrja në proces të gradimit i është mundësuar edhe gjeneratës 54, ku sipas dosjeve personale të zyrtarëve policorë të kësaj gjenerate vërtetohet se nuk përmbushin kriterin e qëndrimit prej dy vitesh në gradën polic i lartë. Brenda listës së aplikimeve janë hasur pjesëmarrës me gradë edhe më të ultë. Ka disa kandidatë që nuk kanë arritur që ta kenë fare nivelin e qëndrimit në gradën polic i lartë. Derisa për themelimin e komisionit janë marrë parasysh kërkesat ligjore rreth numrit të anëtarëve, përbërjen sipas etnisë dhe gradën, në kuadër të vendimit për themelimin e paneleve nuk është respektuar kriteri i etnicitetit edhe pse ka pasur kandidatë të etnive tjera”, shtoi ai.
Sipas tij, nuk ka të gjetura që inkriminojnë penalisht apo shkelje të drejtpërdrejta të niveleve të caktuara të menaxhmentit policor.
Kryetari i këtij komisioni, Bekë Berisha ka pyetur kryeshefin e IPK-së nëse ky proces duhet të anulohet.
“Të dëgjova duke thënë nja 20 herë që është shkelur ligji por ju rekomandoni të bëni këtë, a është kredibil ky proces, sepse një gjeneratë nuk i ka plotësuar kushtet dhe ka kaluar dhe nuk është plotësuar kriteri etnik. Ju a veç rekomandoni apo duhet ky proces të kthehet në pikën zero dhe për të filluar për s’dytë”, ka pyetur Berisha.
Kryeshefi Kushtrim Hodaj tha se të gjeturat e inspektimit tregojnë se është cenuar kredibiliteti i këtij procesi.
“Të gjeturat tona vejnë në pah që është cenuar kredibiliteti i këtij procesi dhe ne presim që procesi të kthehet në pikën zero dhe të rifillon një proces duke marrë parasysh plotësim-ndryshimet prej rregullores, Udhëzimit administrativ dhe të gjitha hapat që ne kemi evidentuar në këtë proces”, u përgjigj Hodaj.
Hodaj theksoi se kanë dërguar tetë rekomandime në Policinë e Kosovës për rishikimin e Udhëzimit Administrativ për këtë gradim. Ai tha se pret nga drejtori i Policisë së Kosovës që të sigurojë një proces me kredibilitet.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj deklaroi se ky raport e obligon Policinë e Kosovës që ta anulojë procesin.
“Raporti në gjuhën që përdor institucioni e obligon Policinë e Kosovës për ta anuluar procesin. Kur IPK thotë që është cenuar dhe i rekomandon drejtorit të policisë që të marrë hapa për çështjen e kredibilitetit, tregon që ky proces gjithsesi është dashur të anulohet për shkak se nuk ka ndodhur asnjëherë që Inspektorati Policor i Kosovës në mënyrë eksplicite në asnjë rast që ka qenë deri më tani me thënë këtë”, theksoi ai.
Pas këtij diskutimi, Komisioni ka qenë i mbyllur për media. /KosovaPress/