Kushtëzimi me Asociacionin, refuzimi i Kurtit dhe shqetësimi amerikan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pranuar dje se anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës po kushtëzohet me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryeministri Kurti, tha të mërkurën se qeveria e tij nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke cilësuar “absurd” një kushtëzim të tillë.

Kurti tha se Kosova e meriton anëtarësimin në KiE pasi plotëson standardet e kërkuara, por shtoi se kërkesa për Asociacionin, si kusht për t’i hapur rrugë Kosovës drejt KiE-së, është absurde dhe joparimore. Kurti u shpreh i zhgënjyer edhe me aleatët e Kosovës, teksa tha nuk e mendonin që shtetet që kanë qenë përkrahëse të Kosovës drejt çlirimit dhe pavarësimit, do të ishin pengesë për rrugën drejt KiE-së.

“Qeveria ka punuar parreshtur dhe ka bërë çdo veprim për të plotësuar kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës. Ne duam anëtarësim meritor. E meritojmë anëtarësimin në KiE pasi ndajmë vlerat e përbashkëta dhe plotësojmë standardet e kërkuara. Anëtarësimin e shohim sidomos për nga përfitimet që sjell për qytetarët, veçanërisht për komunitetet joshumicë duke ju dhënë qasje në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut. Qeveria nuk e ka pranuar draftin e emisarit Miroslav Lajçak sepse ai është refuzuar me 26 tetor 2023, e dy ditë para kësaj unë kam dorëzuar vërejtjet e mia kapitale për atë draft-statut. Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacion. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë bisedojmë Bruksel dhe jo në Strasburg. Neni 7 dhe 10 nuk mund të nxirret jashtë marrëveshjes, si një çështje urgjente”, tha Kurti.

Kurti rikujtoi se Kosova ka pranuar që draft statuti i Asociacionit i sjellë nga emisari Lajçak dhe këshilltarët diplomatikë të QUINT-it në tetor të vitit të kaluar, të bëhej pjesë e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit, por ka qenë refuzimi i Serbisë, ai që ka bërë që ky dokument të mos zyrtarizohet.

Si i tillë, Kurti tha se nuk mund të dërgohet në Kushtetuese.

“Kosova ka ofruar që ai dokument të bëhej pjesë e pakos së Marrëveshjes Bazike dhe të nënshkruhet për t’u bërë ligjërisht i obligueshëm, por u refuzua nga Serbia. Nëse me datë 26 tetor do të pranohej e nënshkruhej paketa e marrëveshjes në Bruksel, vetëm atëherë ai draftstatut do të mund të dërgohej në Kushtetuese. Draft statuti i Lajçakut dhe zyrtarëve të tjerë të QUINT dështoi të zyrtarizohej pasi u refuzua. Si dokument është një jodokument, pra një “non paper”. Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë dokumente që nuk i ka pranuar e nuk janë zyrtare në Kushtetuese. Kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde, e përkundër kësaj tri herë u tentua që të futej kjo kërkesë si parakusht për anëtarësim. Dy herë në Komitetin për çështje politike për Demokraci e po ashtu gjatë mbledhjes së Asamblesë, por që u refuzua. Kjo kërkesë jo vetëm që nuk është parimore, po ajo është refuzuar tri edhe nga vetë instancat e KiE”, tha Kurti.

Kurti shtoi se, përtej garancive që ka ofruar në letër me zotime bashkë me presidenten Osmani dhe kryeparlamentarin Konjufca, nuk mund të kërkohet.

“Pengesat për anëtarësim në këtë organizatë i mendonim nga vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, por assesi nuk mendonim që pengesë do të bëheshin shtetet demokratike, që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përkrahëse të Kosovës për zhvillim e demokraci, e më herët ishin krah neve për çlirim e pavarësim”, ka thënë ai, në mbledhjen e sotme të Qeverisë.

Lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, Kurti tha se nuk ka se çfarë të bëhet më shumë, pasi janë plotësuar të gjitha kushtet. Kreu i qeverisë tha se përgjigjja se çka do të bëhet me anëtarësimin e Kosovës në KiE nuk është më në Prishtinë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Sipas Kurtit, Kosovës i janë bërë shumë padrejtësi në të kaluarën.

“Më besoni që po të varet prej meje do të vendosej në agjendë, dhe do të vendosej për Kosovën. Me 82% Asambleja Parlamentare ka votuar për Kosovën. Nuk mund ta marrë atë rol që të flas në vend të shteteve aty. Çka s’paska plotësuar Kosova. Pse Raporti konstaton në mënyrë të qartë vlerësimin më të lartë për Kosovën. Nuk kemi çka të bëjmë më shumë, shpresoj më të mirën dhe për 17 maj, përgjigja në pyetjet se çka do të bëhet me anëtarësimin e Kosovës, nuk është më në Prishtinë, ka plotësuar gjithçka, ka përjetuar shumë padrejtësi në të kaluarën. S’kemi përgjegjësi e as faj për këtë gjë”, tha Kurti.

Rreth asaj se a mund të izolohet Kosova, Kurti tha se s’mund të flasim për izolim kur sivjet ka ndodhur liberalizimi.

“Nuk izolohet Kosova, duhet të jemi të ndjeshëm edhe ndaj kërkesa të aleatëve, por e kemi Ligjin dhe Kushtetutën. Bashkëpunojmë me ndërkombëtarët edhe me shtetet skeptike e shtetet mosnjohëse. Izolimi nuk është askund. S’mund të flasim për izolim kur ka ndodh liberalizimi i vizave”, tha Kurti.

Shqetësimi amerikan se Kosova mund të mos i ketë votat për KiE

Por, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të mërkurën se Kosova dhe Serbia dështuan të përmbushin detyrimet që dalin nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve e vitit të kaluar, ndërsa paralajmëroi se kjo mund t’i kushtojë Kosovës me dështim në përpjekjet për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

Në bashkëbisedimin 30 minutash, Escobari ka treguar edhe arsyet se përse Kosova mund të dështojë për pranim në Këshillin e Evropës.

Ai ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë dështuar të përmbushin detyrimet e veta që morën me Marrëveshjen e Ohrit. Ka shtuar se shtetet evropiane druhen se formimi i Asociacionit pas anëtarësimit në KiE do të sillte vonesa.

“Në Ohër isha prezent ishin pajtuar që të gjitha elementet e asaj marrëveshjeje të implementoheshin. Kjo do të thoshte për Kosovën implementimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe për Serbinë që të mos bllokonte Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Fatkeqësisht, dy palët kanë dështuar të respektojnë këtë obligim. Por besoj se sapo të kthehet në binarë marrëveshja, rajoni do të jetë në pozicion më të mirë”, ka vlerësuar Escobar.

Ai i ka dërguar mesazh Kosovës që të dëgjojë dhe bashkëpunojë me partnerët ndërkombëtarë në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian.

“E di se ka shqetësime në mesin e anëtarëve të caktuar se Asociacioni dhe disa kërkesa të tjera që janë bërë vazhdimisht në dy vjetët e fundit në lidhje me Asociacionin dhe disa çështje të tjera që kanë të bëjnë me të drejtat e minoritet serb nuk janë përmbushur. Këto janë disa shqetësime se Kosova mund të mos marrë votat për Këshillin e Evropës. Në të njëjtën kohë, mendoj se është e rëndësishme për Kosovën që të dëgjojë partnerët e saj evropianë dhe të punojë me ta”, ka thënë Escobar.

Ai është pyetur nëse ka të përbashkëta Këshilli i Evropës dhe themelimi i Asociacionit.

“Këshilli i Evropës është për trajtimin e minoriteteve dhe Kosova ka marrë angazhime për trajtimin e minoriteteve. Ne nuk po kuptojmë se përse Kosova nuk po përmbush angazhimet e veta. Shqetësimi është se formimi i Asociacionit pas pranimit në KiE vetëm sa do të sillte vonesa”, ka thënë përfaqësuesi i lartë amerikan.

Escobari ka sqaruar se diplomatët përfaqësojnë politikat e qeverisë së tyre, kur është pyetur se përse Kurti ka mosmarrëveshje me disa diplomatë.

“Të gjithë diplomatët me të cilët është takuar përfaqësojnë politikat e qeverisë. Pra Kurti do të dëgjojë mesazhet e njëjta nga ShBA-ja, Gjermania, Franca. Ne jemi vetëm lajmëtarë të politikave kombëtare”, ka thënë Escobari.

Çështja e Kosovës  tashmë është konfirmuar se nuk është në agjendën e Këshillit të Ministrave javën e ardhshme. Kështu i tha të mërkurën Zërit të Amerikës, zëdhënësi i kësaj organizate Daniel Holtgen, por pa dhënë më shumë hollësi.

Këshilli mblidhet javën që vjen dhe pritej që të votonte për kërkesën e Kosovës, e cila muajin e kaluar mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, duke nxitur besimin në Prishtinë për përmbushjen e këtij synimi dhe zemërimin në Beograd.

Disa nga vendet perëndimore, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, e shndërruan në kusht për votën e tyre hedhjen e hapave konkretë nga Kosova për themelimin e Asociacionit, në bazë të një projektstatuti të hartuar nga diplomatë perëndimorë që iu dorëzua palëve në tetor të vitit të kaluar. /Reporteri.net/

Read Previous

Biden: Nuk do ta furnizoj Izraelin me armë për ta goditur qytetin Rafah

Read Next

Konjufca: Kosova duhet të anëtarësohet pa kushte shtesë në KiE