Kush është Gazmend Hoxha, drejtori i ri i Policisë së Kosovës

Kabineti qeveritar ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës. Me këtë rast, si pikë e gjashtë e rendit të ditës ishte edhe miratimi i propozim-vendimit për emërimin e drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, tha se në konkursin për drejtor të PK-së kanë aplikuar pesë kandidatë teksa katër nga ta kanë hyrë në listë të ngushtë.

“MPB ka zhvilluar procedurën e rekrutimit për pozitën Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës. Në këtë konkurs kanë aplikuar pesë kandidatë, 4 kanë hyrë në listë të ngushtë. Pas vlerësimit profesional, janë rekomanduar 3 kandidatë Gazmend Hoxha, Granit Fetahu dhe Bahri Shala. Ministri i propozon si kandidat për drejtor të policisë z.Gazmend Hoxhën”, tha Dobra.

Pikë kjo që u miratua nga Qeveria e Kosovës.

Por kush është Gazmend Hoxha

Gazmend Hoxha prej kohësh mbanë pozitë të lartë në Policinë e Kosovës. Hoxha është Drejtor i Departamentit për Operacione dhe njëherësh një ndër zyrtarët policorë të vlerësuar shpesh herë në kuadër të këtij institucioni.

Para shumë vitesh, kur ministër i MPB-së ishte i ndjeri Bajram Rexhepi, Hoxha ishte caktuar në pozitën Ushtrues Detyre të ndihmësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës për Hetime, nga pozita e Ushtruesit të Detyrës, të kryesuesit të Departamentit kundër Krimit të Organizuar.

Që nga muaji gusht i vitit 2022, Policia e Kosovës mbeti pa drejtor pas dorëheqjes së ish-drejtorit të PK-së, Samedin Mehmeti.

Ai u vlerësua si më i miri nga britanikët. Kandidati, Gazmend Hoxha është renditur i pari me pikë në konkursin e shpallur për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë.

Emri i tij është bërë publik nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë.

Sipas, ish-drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, i cili është edhe deputet i PDK-së, thotë se lënia kaq gjatë e këtij institucioni me ushtrues detyre, i ka shkaktuar dëme.

“Ky proces i përzgjedhjes ka zgjatur tej mase, me disa muaj, dhe mendoj që e ka dëmtuar institucionin e policisë sepse dihet tashmë, është mjaft e rëndësishme që ky institucion të behet me drejtor, duke pasur parasysh faktin edhe pakënaqësit që janë tek stafi civil, dhe policët në lidhje me pagat e dini qëq është një njësi në grevë, pra flota operative e PK-së, është në grevë edhe pse edhe PK edhe MPB po mundohen ta mbajnë të izoluar.”, ka thënë Qalaj.

Njëjtë mendon edhe ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha i cili thotë se për të larguar çdo dyshim se në krye të PK-së do të emërohet një person i besueshëm e që nuk ka lidhje me pushtetin, duhet të ketë ripërsëritje të konkursit.

“E dëmton imazhin dhe i dëmton veprimtarit operacionale të Policisë së Kosovës, veçanërisht në situatat e ndjeshme çfarë i kaluam. Madje edhe nëse së shpejti emërohet drejtori i Policisë, mendoj se ky proces është lënduar skajshëm, dhe cilido që emërohet drejtor do e bart me vete barrën e të preferuarin e qeverisë, sepse tashmë është krijuar tek  qytetarët, se qeveria po e pret kandidatin më të përshtatshëm për qeverinë, prandaj më e mira do ishte ripërsëritja e konkursit.”, ka thënë Hoxha.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Hill për takimin në Ohër: Shumë herët për të dhënë vlerësime, Asociacioni është test për seriozitetin ndërkombëtar

Read Next

Dita Ndërkombëtare e Gruas: Kuptimi, origjina dhe pse festohet më 8 mars?