Dita Ndërkombëtare e Gruas: Kuptimi, origjina dhe pse festohet më 8 mars?

Dita Ndërkombëtare e Gruas, e cila festohet në mbarë botën më datën 8 mars – është një festë globale e arritjeve sociale, ekonomike, kulturore dhe politike të grave.

E mbajtur çdo vit në të njëjtën ditë për mbi 100 vjet, kjo ditë është gjithashtu një mundësi për të reflektuar dhe për të çuar më tej shtytjen drejt barazisë gjinore.

Diskriminimi gjinor ndikon negativisht tek vajzat dhe gratë çdo ditë në pothuajse çdo shoqëri. Në disa vende ato nuk mund të vishen si të duan, të ngasin makinën, të punojnë natën, të trashëgojnë pronë dhe gjithashtu vuajnë një sërë ligjesh shtypëse, duke përfshirë kontrollin me kë mund të martohen ose detyrimin e tyre për t’u martuar në rastin e martesave të detyruara.

Dhe madje edhe në vende, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku shumë të drejta të grave mbrohen me ligj, 42% e grave që punojnë thonë se janë përballur me diskriminim në punë bazuar në gjininë e tyre, ndërsa gratë paguhen rregullisht më pak për të bërë të njëjtën punë si meshkujt e tyre, homologë.

Pavarësisht përpjekjeve shumëvjeçare për një botë më të drejtë, nevoja për Ditën Ndërkombëtare të Gruas mbetet po aq e rëndësishme sa kurrë.

Në shumë vende demokratike të botës, Ditës Ndërkombëtare të Gruas për çdo vit i jepet një temë, e cila shpesh lidhet me ngjarjet, tendencat dhe betejat bashkëkohore.

Cila është origjina e Ditës Ndërkombëtare të Gruas?

Versioni më i hershëm i kësaj feste filloi në vitin 1908 kur 15 mijë gra morën pjesë në një marshim të qytetit të Nju Jorkut, duke bërë thirrje për orë më të shkurtra pune, paga më të mira dhe të drejtat e votimit.

Një vit më vonë, Partia Socialiste e Amerikës shënoi përvjetorin e marshimit duke e shpallur atë Ditën e parë Kombëtare të Gruas.

Në këtë fazë ishte vetëm një festë amerikane, por në vitin 1910, Clara Zetkin iu drejtua Konferencës Ndërkombëtare të Grave Punëtore në Kopenhagë dhe u sugjeroi atyre që ta bënin këtë ngjarje ndërkombëtare.

Ideja e Clarës për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, nuk kishte një datë të caktuar. Nuk u formalizua deri në grevën në kohë të luftës në vitin 1917, kur gratë ruse kërkuan “bukë dhe paqe”, derisa katër ditë pas grevës cari u detyrua të heqë dorë dhe qeveria t’ua lejojë grave të drejtën e votës.

Greva filloi më 8 mars dhe kjo u bë data kur festohet Dita Ndërkombëtare e Gruas.

Një qind gra të pranishme e mbështetën njëzëri idenë dhe në vitin 1911 u festua për herë të parë Dita Ndërkombëtare e Gruas në Austri, Danimarkë, Gjermani dhe Zvicër, si dhe në Shtetet e Bashkuara.

8 marsi, mbeti një ngjarje e pavarur deri në vitin 1975, kur Kombet e Bashkuara filluan të shënonin këtë ditë dhe të organizonin festime.

Në vitin 1996, OKB-ja filloi të nxirrte një temë për festën e çdo viti, e para prej të cilave ishte “Të festojmë të shkuarën, të planifikojmë për të ardhmen”.

Si festohet dita e gruas nëpër botë?

Dita Ndërkombëtare e Gruas është një festë kombëtare në shumë vende, përfshirë Rusinë, ku shitjet e luleve dyfishohen gjatë tre ose katër ditëve rreth 8 Marsit.

Në Kinë, shumë grave u jepet një gjysmë dite pushimi nga puna më 8 mars, siç këshillohet nga Këshilli i Shtetit.

Në Itali, Dita Ndërkombëtare e Gruas, ose la “Festa della Donna”, festohet duke dhuruar lule mimoze. Origjina e kësaj tradite është e paqartë, por besohet se ka filluar në Romë pas Luftës së Dytë Botërore.

Në SHBA, muaji mars është muaji i historisë së grave. Përmes një shpallje presidenciale të lëshuar çdo vit nderohen arritjet e grave amerikane.

Këtë vit, festimet do të vazhdojnë të duken pak më ndryshe për shkak të koronavirusit dhe ngjarjet virtuale pritet të zhvillohen në mbarë botën, përfshirë këtë të organizuar nga OKB-ja.

Çfarë duhet të presim nga Dita Ndërkombëtare e Gruas 2022?

Pas edicionit të vitit të kaluar të prekur nga pandemia COVID, Dita Ndërkombëtare e Gruas do të shënohet me simbolin e krahëve të kryqëzuar. Dhe ju mund të tregoni mbështetjen tuaj në një mënyrë të thjeshtë.

Njëanshmëria, qoftë e qëllimshme apo e pavetëdijshme, e bën të vështirë për gratë të ecin përpara, megjithatë, duke qenë të vetëdijshme se ky paragjykim ekziston nuk mjafton, nevojitet veprim për të barazuar fushën e lojës.

Kjo është arsyeja pse fokusi i këtij viti është në thirrjen aktive të paragjykimeve gjinore, diskriminimit dhe stereotipizimit sa herë që e shihni.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Kush është Gazmend Hoxha, drejtori i ri i Policisë së Kosovës

Read Next

Bayern Munich – PSG: Statistika, analizë, formacionet e mundshme dhe parashikim