Shefja e grupit parlamentar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, konsideron se rezoluta e dorëzuar nga opozita për çështjen e energjisë, “s’është serioze” dhe as “nuk kontribuon në zgjidhjen e këtij problemi”.
“Materiali dhe rezoluta e dorëzuar nga ana juaj nuk është serioze dhe nuk kontribuon në ofrimin e zgjidhjes. Zgjidhjet e vetme që i keni ofruar kanë qenë, seanca të jashtëzakonshme, komisione hetimore për energjinë në mesin e krizës, ndërsa në vazhdimësi keni abstenuar në votime e mospjesëmarrje në zhvillimin e politikave për sektorin e energjisë”.
Ajo fjalimin e saj në Kuvendin e Kosovës ka deklaruar se seanca për energjinë elektrike, do të mund të ishte edhe temë e një seance të rregullt.
“Por, sikurse të ndodhte kjo që në fillim në temën e energjisë do të duhej të flisnim për zbatimin e marrëveshjes së energjisë për katër komunat në Veri të vendit dhe heqjen përfundimtare të barrës së rëndë financiare nga buxheti i shtetit në këmbim të ruajtjes së sovranitetit të sistemit elektro-energjik të vendit tonë”, ka thënë Kusari Lila.
Duke shtuar se, “sfidat shumëvjeçare të këtij sektori janë edhe përgjegjësi e juaja”.
Kusari-Lila, ka përmendur edhe masat që janë marrë për të lehtësuar barrën e qytetarëve në pagesën e energjisë elektrike që sipas saj kanë qenë veprime të duhura të Qeverisë.
Kuvendi i Kosovës, është duke mbajtur një seancë të jashtëzakonshme me vetëm një pikë të rendit të ditës
Deputetët do të shqyrtojnë propozim-rezolutën në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët. /Albanianpost.com