Kusari-Lila iu drejtohet serbëve të Kosovës: Ish-deputetët nuk ju përfaqësuan

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet, Mimoza Kusari-Lila iu drejtua sot qytetarëve serbë nga Kuvendi i Kosovës.

Me një mesazh në gjuhën serbe, Kusari-Lila u bëri thirrje qytetarëve serbë që janë larguar nga institucionet e Kosovës në ditët e fundit, që të rikthehen në këto institucione.

Që nga 5 nëntori dhe në ditët në vazhdim, serbë të Kosovës kanë ofruar dorëheqje nga institucione të ndryshme, në shenjë kundërshtimi ndaj zbatimit të planit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e targave të makinave në pjesën veriore të vendit.

Ndër ta edhe dhjetë deputetët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – kanë dorëzuar të hënën dorëheqjet e tyre.

Këta deputetë, Kusari-Lila tha se nuk i kanë përfaqësuar denjësisht serbët e Kosovës.

“Ata asnjëherë gjatë këtij mandati nuk adresuan nevojat dhe nuk folën për interesat e qytetarëve serbë të Kosovës”, tha Kusari-Lila, duke shtuar se “ata kanë zgjedhur të përfaqësojnë autoritetin e regjimit të Serbisë”

Rikujtojmë se tashmë presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka dërguar kërkesë në Komisionin Qendror Zgjedhor që të rekomandojë zëvendësimin e deputetëve të dorëhequr. /REL/

Read Previous

Publikohet raporti, si i përgjon Evropa qytetarët

Read Next

Rama zbulon rrezikun që i kërcënohet gjuhës shqipe