Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se do të angazhohen maksimalisht për të shtyrë përpara reformën zgjedhore.
Për këtë ajo ka ftuar edhe partitë opozitare, shoqërinë civile që të bashkohen dhe të fillojnë veprimet në procesin e plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit të zgjedhjeve.
Kusari: Do të angazhohemi maksimalisht për reformën zgjedhore
“Nga ne presin reformë zgjedhore dhe fillimin e mirëfilltë të ndryshimit të ligjeve të zgjedhjeve. Ju konfirmojmë se do të angazhohemi maksimalisht si pozitë, tashmë që procesi zgjedhor u përmbyll, të fillojmë këtë proces shumë të rëndësishëm për ngritjen e procesit zgjedhor me standard ende më të lartë dhe me pjesëmarrje të sigurt dhe kredibile të gjithë atyre që duan të marrin pjesë në zgjedhje brenda dhe jashtë Kosovës. Nga këtu, sot, përveçse japim zotimin para qytetarëve të Republikës brenda dhe jashtë ju bëjmë thirrje partive politike, shoqërisë civile dhe të gjitha palëve të përfshira të fillojmë të mendojmë dhe së shpejti të veprojmë në procesin e plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit të zgjedhjeve. Kohë dhe mundësi kemi mjaftueshëm të reflektojmë në të gjitha procedurat të cilat i konsiderojmë të domosdoshme për t’u ndryshuar dhe për të lehtësuar procesin e votimit”, tha ajo.
Kusari-Lila tha se si pozitë janë të përkushtuar për të shtyrë përpara projektet dhe proceset të cilat janë në dobi të përmirësimit të jetës së qytetarëve në të gjitha komunat.