Kurti: Të hyrat tona buxhetore gjatë periudhës janar-nëntor 2023 ishin prej 2.6 milionë euro

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se me miratimin e mbrëmshëm të Fondit Sovran në Kuvendin e Kosovës, do t’i forcohen ndërmarrjet publike, do të sjell një cikël të ri investimesh në vend dhe do të shtojë qarkullimin e kapitalit investiv në ekonominë tonë, por mbi të gjitha do të jemi shembull jo vetëm për gjithë shqiptarët në Ballkan, por edhe për shtetet e qeveritë e tjera në kontinentin tonë.

Kurti këto komente i bëri gjatë mbledhjes së fundit për këtë vit të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ku tha se është rasti për t’u përgatitur për sukseset e vitit të ardhshëm, e ku edhe i kërkoi të gjithë anëtarëve të jenë më aktiv në pozitat dhe komunat ku janë.

“Me politikat tona zhvillimore të hyrat tona buxhetore gjatë periudhës janar-nëntor 2023, kanë arritur vlerën prej 2.6 milionë euro të hyrat buxhetore, 340 milionë euro ose 15 % më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, a e kuptoni ne po e kalojmë veten 15%. Në vendet e tjera qeveritë as ëndërr nuk e shohin të bëjnë brenda mandatit të tyre 15% më shumë se qeveria paraprake në vendin. Ne vit pas viti 15% më shumë se të vitit të kaluar, po i them këto sepse nuk transmetohen. Si rrjedhojë buxheti i vitit 2024 ka kapur vlerën mbi 3 miliardë për të cilën paraqet buxhetin më të lartë që ka pasur Kosova ndonjëherë” u shpreh Kurti.

Kurti ka komentuar edhe Fondin Sovran, i cili është miratuar mbrëmë në Kuvendin e Kosovës.

“Me themelimin e këtij fondi do të kalojmë nga një sistem i privatizimit të aseteve shtetërore, sistem i cili më shumë i ka shërbyer interesave të individëve të pushtetshëm në një institucion që punon për interesat e përgjithshme të qytetarëve të Kosovës. Fondi Sovran do t’i forcojë ndërmarrjet publike, do të sjell një cikël të ri investimesh në vend dhe do të shtoj qarkullimin e kapitalit investiv në ekonominë tonë. Për dy dekada pas luftës, ekonomia e Kosovës, burimet e saj janë shndërruar në plaçkë për zhvatje në një proces brutal të privatizimit të shkapërderdhjes centrifugale, nga ky proces i dy dekadave centrifug po kalojmë në fazën centripetale, ku vendi ynë edhe ekonomikisht, jo vetëm historikisht, politikisht, do të peshojë gjithnjë e më rëndë, pra nga një tendencë dy dekadëshe centrifugale, Fondi Sovran është thelbi i kalimit në fazën centripetale, ku rritet graviteti i vendit tonë edhe si ekonomik kombëtare. Ne do të jemi shembull për gjithë shqiptarët në Ballkan, do të jemi shembull edhe për shtetet e qeveritë e tjera në kontinentin tonë “, tha ai.

Kurti u ndal edhe te institucionet tjera, ku tha se prej fillimit të mandatit deri tash 30.6 milionë euro mall janë konfiskuar nga operacionet e Doganës së Kosovës.

“Për sa i përket drejtësisë këtë vit dogana e iniciuar 83 kallëzime penale apo 43.1 % më shumë se sa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, pra ne krahasohemi me veten tonë me vitin që shkoj ndërkohë që jemi të pakrahasueshëm me qeverinë para nesh. Prej fillimit të mandatit deri tash 30.6 milionë euro mall janë konfiskuar nga operacionet e Doganës së Kosovës, plot 34 rrugë ilegale janë mbyllur prej tyre 26 në veri të vendit, 16 laboratorë të drogës janë shkatërruar, nëntë prej tyre në veri, mbi 2.2 tonë substanca narkotike janë konfiskuar dhe mbi 14 milionë euro janë sekuestruar nën dyshimin e keqpërdorimit dhe shpëlarjesh së parave”, tha Kurti.

Sipas tij, ekonomia e Kosovës është më e fort se kurrë, pavarësisht krizave të shumëfishta si për bizneset, ashtu edhe për familjet, derisa u ndal edhe te mbështetja në fushën e bujqësisë.

Sipas tij, qarkullimi i bizneseve nga janari-nëntor 2023, ka arritur shumën 15.88 miliardë euro.

“Vlera e mallra në eksport për periudhën janar-nëntor 2023, ka qenë 756. 9 milionë euro, e le ta krahasojmë me vitin 2019, 441 milionë më shumë ose 139%, pra përqindjet te LVV kanë kuptim vetëm kur e krahason vitin tonë me vitin tonë, përndryshe si të shkon me krahasuar me diku atje 2019, 2018 e teposhtë, shkon 100 e 200 %…. Gjatë mandatit tonë është rritur deri në 216 % përkrahja me subvencione dhe sivjet është hartuar dhe miratuar programi për pagesat direkte për vitin 2023, me aplikimin e 82,728 fermerëve të cilëve pritet t’u shpërndahen 66 milionë euro mbështetje. Viti 2023 ka qenë vit i infrastrukturës së transportit. Kemi nisur projekte infrastrukturore me Shqipërinë, Maqedonia e Veriut dhe Malin e Zi, siç janë hekurudha Prishtinë-Durrës, rruga Prizren-Tetovë dhe projektet rrugore që e lidhin Kosovën me Malin e Zi, Pejë-Rozhajë dhe Deçan-Plavë por njëkohësisht kemi vazhduar me ndërtimin dhe asfaltimin e rrugëve brenda Kosovës siç janë autostrada Gjilan-Prishtinë, rruga Prishtinë-Podujevë, rruga Prishtinë-Mitrovicë dhe rrugë në veri të vendit”, tha ai.

Kurti në këtë mbledhjen e këtij këshilli nuk la pa kritikuar edhe mediat. Sipas tij, shumë nga lajmet dhe vendimet që merr qeveria nuk paraqiten fare ose paraqiten pjesërisht në pjesën dërmuese të mediave. Ai shtoi se qeverisja e tyre nuk kanë zgjedhur metodat e paraardhësve të tyre me sponzorizime sepse në thelb janë fasadë.

“Prandaj të arriturat e qeverisë, vendimet që merren duhet paraqitur nga strukturat e lëvizjes, vetëm kësisoj informacioni është objektiv, i drejt dhe i pa devijuar. Shumë nga vendimet, skemat mbështetëse, masat e ndërmarra kanë prekur drejtpërsëdrejti qytetarin jo edhe shumë dihet e flitet për to sepse dëshirojnë të minohet sa më shumë merita e institucioneve”, tha ai.

Ai shtoi se brenda mandatit të tyre raporti i eksportit ndaj importet nga një me nëntë është në një me gjashtë. /KosovaPress/

Read Previous

Rrahu bashkëshorten për shkak të një mosmarrëveshje, arrestohet i dyshuari, i konfiskohet arma pa leje

Read Next

Lance Armstrong zbulon se si mashtroi testin e dopingut plotë 500 herë