Ndonëse në një raport të Bankës Botërore të publikuar sivjet thuhet se Kosova vazhdon ta ketë numrin më të madh të të papunëve në rajon, kryeministri Albin Kurti, ka theksuar se ka vende pune sa të duash, teksa ka shtuar se presje është zgjedhur kryeqeveritar, nuk ka më protesta nga qytetarët që kërkojnë punësim.
“Dikur ka pasur papunësi për të gjithë. Tash e katër vjet në Kosovë nuk ka protesta duam punë. Krejt kërkojnë paga më të larta dhe kushte më të dinjitetshme të punës, mirëpo duam punë nuk thotë më askush. Vende pune ka, bile ka vende të zbrazëta të punës në sektorin publik edhe në sektorin privat”, tha Kurti gjatë një takimi me personat e shurdhur në Gjilan.
Por, në raportin e fundit të titulluar “Ruajtja e Ritmit të Rritjes” të Bankës Botërore, Kosova ka numrin më të madhe të papunëve, me vetëm 37 për qind të popullsisë së aftë për punë – të punësuar.
Sfidat kryesore për Kosovën, sipas raportit, mbesin reformat në sektorin e energjisë, furnizimit me ujë dhe përmirësimin e kapitalit njerëzor, si dhe lidhjet me tregjet e jashtme.
Në mesin e rreziqeve, Banka Botërore thekson trysninë për rritjen e shpenzimeve buxhetore në prag të zgjedhjeve, por edhe pasigurinë e vazhdueshme gjeopolitike, përfshirë në kontekstin e veçantë politik të Kosovës.
Në raportin e Bankës Botërore, bashkë me Kosovën, rritje më të madhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor e pati Serbia po ashtu me 3.8 për qind.
Pas tyre vjen Mali i Zi me 3.4, Shqipëria me 3.3, Bosnja me 2.8 dhe Maqedonia e Veriut me 1.8. Rritja e përgjithshme ekonomike në rajon parashikohet të arrijë në 3.7 për qind gjatë vitit 2025, sipas Bankës Botërore./Albanianpost.com