Në takimin e parë të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, kryeministri Albin Kurti theksoi përkushtimin për të ndërtuar një platformë të fortë për dialogun publiko-privat, që mundëson identifikimin e mundësive dhe adresimin efikas të sfidave, përmes së cilës edhe është arritur zhvillimi i një plani vjetor ambicioz për vitin 2024 mbështetur nga Sekretariati i pavarur i Këshillit, i financuar nga SECO-ja zvicerane dhe i menaxhuar nga BERZh-i në Kosovë.
“Ky plan përfshin një sërë aktivitetesh të synuara për të nxitur investimet dhe eksportet, si dhe për të intensifikuar dhe thelluar dialogun ndërmjet qeverisë dhe sektorit privat. Në këtë plan vjetor janë tri ngjarje kryesore, në tetor dhe në nëntor 2024, në Kosovë, të cilat ofrojnë mundësi të vlefshme për promovim të investimeve të huaja direkte dhe eksportit, si dhe për të gjitha kombinimet e rrjetëzimit: ‘Qeveri-Qeveri’, ‘Biznes-Qeveri’ dhe ‘Biznes-Biznes’ (B2B)”, është cituar Kurti në komunikatë.
Në këtë takim ku u ndanë vizionet dhe synimet për rrugëtimin e ardhshëm të Kosovës drejt rritjes ekonomike dhe zhvillimit të qëndrueshëm, kryeministri përmendi synimin për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, përkushtimin për një mjedis biznesi lehtësues e inkurajues dhe prioritizimin për reformimin e kuadrit ligjor dhe rregullator, që ndikon në minimizimin e barrës administrative dhe sigurimin e një mjedisi të barabartë për të gjithë.
Në anën tjetër, esenciale kryeministri e quajti promovimin e sektorëve, që janë të duhur për Kosovën si, bujqësia dhe sektorët e ushqimit, shërbimet BPO (Business Process Outsourcing) të mundësuara nga teknologjia e informacionit, sektorët e prodhimit të lehtë, prodhimi i energjisë elektrike nëpërmjet burimeve të ripërtëritshme dhe gjithashtu fokus i dha dëshirës që të bëhemi destinacion i dëshiruar për prodhimin e automjeteve elektrike për shkak të fuqisë punëtore dinamike dhe me kosto konkurruese./kosovapress/