Kurti refuzon t’i shkojë Osmanit në takim

Në takimin e nesërm të thirrur nga presidentja Vjosa Osmani me liderët e partive të vendit për të diskutuar për datën e zgjedhjeve nacionale kryeministri Albin Kurti ka refuzuar të marrë pjesë.

Burime për Klankosova.tv kanë bërë të ditur se në vend të Kurtit do të shkojë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, duke përfaqësuar Vetëvendosjen.

Për të njëjtin takim, ditë më parë, sekretarja e partisë më të madhe opozitare në vend, Vlora Çitaku, ka thënë se PDK-ja do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga presidentja Vjosa Osmani për datën e zgjedhjeve nacionale.

Çitaku tha se ftesa e Osmanit nuk ndërlidhet me inicimin e zgjedhjeve të parakohshme, por me inicimin e datës për zgjedhjet e rregullta.

“PDK-ja e ka pranuar ftesën e presidentes Osmani për një takim rreth përcaktimit të datës së zgjedhjeve. Ne do t’i përgjigjemi ftesës, e kemi obligim ligjor dhe kushtetues. Ne do të marrim pjesë aty dhe qëndrimin për këtë çështje dhe datën e preferuar do ta themi aty”.

Dje, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, u ka dërguar letër të gjithë liderëve të partive politike që të takohen më 31 korrik në mënyrë që të flasin për datën e zgjedhjeve të reja nacionale. /Klankosova.tv

Read Previous

Zjarri përfshin arat dhe fushat me të mbjellura në Duzhnje

Read Next

Mark Zuckerberg parashikon një të ardhme ku pothuajse të gjithë do të mbajnë syze inteligjente me AI