Kurti: Rastet e spiunazhit dëshmojnë përpjekjet e Serbisë për destabilizim të Kosovës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka folur rreth arrestimit të pesë personave të  dyshuar për bashkëpunim me shërbimin sekret serb (BIA).

Kurti ka thënë se arrestimi i tyre është rezultat i operacioneve të suksesshme nga AKI, Policia dhe Prokuroria.

“Arrestimi i pesë personave të dyshuar për bashkëpunim me shërbimin sekret serb (BIA), brenda pak më shumë se një viti (tre shqiptarë dhe dy serbë), është rezultat i operacioneve të suksesshme të udhëhequra nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), në bashkëpunim me Policinë dhe Prokurorinë. Këto raste, përveçse dëshmojnë përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për destabilizim, konfirmojnë suksesin tonë në zbulimin dhe çmontimin e rrjeteve të inteligjencës serbe në Kosovë”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në Facebook.

Ai ka folur edhe për rastet për të cilat dyshohen të dyshuarit.

“Rastet përfshijnë: përpjekje për rishkrim të historisë me qëllim njollosjen e luftës së UÇK-së dhe mohimin e masakrës së Reçakut; infiltrime në organizata ndërkombëtare dhe në qarqe ekstremiste fetare me qëllim dëmtimin e sigurisë dhe imazhit të shtetit. Njëri nga të dyshuarit (A.V.), pas përballjes me dëshmitë, tashmë ka pranuar fajësinë”, thotë mes tjerash ai.

Kryeministri në detyrë shtoi tutje se “AKI, në bashkëpunim me mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë, ka treguar efikasitet të jashtëzakonshëm, aftësi të avancuara analitike e operative në mbrojtjen e sovranitetit dhe rendit kushtetues”.

“Ftoj qytetarët të jenë të vëmendshëm dhe të angazhuar në përpjekjet për një Kosovë të qëndrueshme dhe të pathyeshme ndaj çdo forme kërcënimi. Trajtimi i suksesshëm i këtyre rasteve duhet të shërbejë si shembull për rritjen e vetëdijes dhe forcimin e frontit të përbashkët për siguri kombëtare”, përfundoi ai. /Telegrafi/

Read Previous

Objekti që po kanos rrezik për nxënësit e banorët e fshatit Bishtazhin

Read Next

Thellohen tensionet mes Trump dhe Musk