Kurti priti në takim lamtumirës ambasadoren e Holandës, Lobbezoo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo.

Siç ka njoftuar qeveria, në një takim të përzemërt kryeministri Kurti e falënderoi ambasadoren Lobbezoo që gjatë mandatit të saj transmetoi miqësinë dhe mbështetjen e Holandës. Në këtë periudhë me zhvillime të shumta, bashkëpunimi i ndërsjellë ka kontribuar në ruajtjen dhe avancimin e marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës. Kryeministri theksoi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Holandës dhe popujve të dy vendeve janë forcuar edhe më shumë, sidomos pas liberalizimit të vizave.

Ai i shprehu falënderim të veçantë Holandës dhe ambasadores Lobbezoo për mbështetje të Kosovës gjatë procesit të aplikimit për në Këshillin e Evropës.

“Krahas rrugëtimit të vendit tonë drejt integrimit evropian, në takim u diskutua edhe për përkrahjen e vazhdueshme të Ambasadës Holandeze për organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, përmes programeve dhe nismave të ndryshme. Në këtë kontekst u veçua programi MATRA, zbatimi i të cilit ka nxitur zhvillimin e këtij komuniteti dhe ka ndikuar në fuqizimin e organizatave joqeveritare lokale në vendin tonë. Më tej, ai theksoi se fokusi i Ambasadës holandeze në përmirësimin e llogaridhënies dhe transparencës në qeverisjen dhe sistemin e drejtësisë është i një rëndësie të madhe për vendin tone”, thuhet në komunikatën e qeverisë.

Mbretëria e Holandës është një nga vendet e para që e ka njohur pavarësisë e Kosovës, vetëm dy javë pas shpalljes së saj.

Tutje thuhet se kryeministri Kurti i uroi ambasadores Lobbezoo suksese në angazhimet e saja të radhës./rtklive

Read Previous

Kur pritet të përfundojnë punimet në objektin e ri të komunës së Gjakovës?

Read Next

Dorëzohet Raporti Vjetor i BQK-së për vitin 2023