Kurti për 100 ditëshin e qeverisjes së tij: Shkatërruam 8 banda kriminale

Kryeministri, Albin Kurti, në Kuvendin e Kosovës ka folur për 100 ditëshin e qeverisjes së tij, duke thënë se 144 vendime janë marrë brenda tre muajve të parë të qeverisjes së tij, përderisa ka përmendur edhe reformat që ka ndërmarrë kjo qeveri.

Me reformat e nisura në drejtësi dhe financa e ekonomi, kemi rritur besimin e qytetarëve tek ne. Kur jemi betuar në Kuvend, kemi thënë se luftimin e pandemisë do ta kemi prioritet. Çfarëdo matje që i bëhet qeverisë sonë, duhet të shihni gjendjen me rastet e infektimit në ditën kur kemi marrë qeverinë dhe 100 ditë më vonë, ka pasur 9 raste të reja. Prej 17 vdekjeve në ditë, kemi rënë në 0 vdekje të të infektuarve me COVID-19”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se raportet e jashtme kanë filluar të ndryshojnë që nga qeverisja e tij, pasi që shpesh herë pas luftës është përmendur për të keq në raportet e jashtme.

Gjithashtu ai ka folur edhe për luftimin e pandemisë, për të cilën ka thënë se ka qenë prioritet i qeverisë së tij, ndërsa ka bërë thirrje për respektimin e rregullave në mënyrë që të luftohet edhe varianti Delta përmes vaksnimit masiv me vaksinën kundër COVID-19.

Kosova është vendi i vetëm në rajon që po përdor vetëm vaksinat që janë të aprovuara kundër Covid-19, pra Pfizer dhe AstraZeneca. Kosova po e menaxhon shumë mirë situatën dhe rastet me COVID-19, por tash ka filluar të shpërndahet edhe varianti Delta, andaj zgjedhja është vaksnimi masiv, të cilin e kemi filluar si proces”, ka thënë Albin Kurti.

Përderisa Kurti ka bërë të ditur se janë anuluar disa kontrata dhe marrëveshje bashkëpunimi që janë cilësuar si të dëmshme, me vlerë prej 100 milionë eurove, ai ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës është duke planifikuar edhe pakon e dytë për bizneset dhe qytetarët prej 1.1 miliardë eurove.

Kurti ka përmendur edhe aksionet dhe bastisjes së Policisë së Kosovës si arritje të qeverisë së tij duke thënë se kanë shkatërruar tetë grupe kriminale ndërsa kanë konfiskuar 400 kilogram kokainë./GazetaSinjali

Read Previous

Gjendje alarmante, digjet fshati Nec

Read Next

4 vizita jashtë vendit, Presidentja Osmani shpenzoi 3 mijë e 400 Euro nga buxheti i shtetit