Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, derisa ka bërë një përmbledhje të punës në sektorin e shëndetësisë përgjatë dy vjet e gjysmë qeverisje, ka filluar t’i numërojë “sukeseset” nga menaxhimi i pandemisë Covid-19, deri të ndarja e mbi 100 milionë euro për sektorin e shëndetësisë.
“Kosova nuk kishte as edhe një vaksinë dhe asnjë kontratë për vaksina. Deri në fund të vitit, i siguruam 2.2 milionë vaksina dhe mbi 60% e popullatës së rritur u imunizua. Kosova, nga vendi i fundit në rajon, u bë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor për nga shkalla e vaksinimit të popullatës”, ka shkruar kryeministri Kurti.
Ai ka thënë se prej atëherë, ekzekutivi ka ndarë mbi 100 milionë euro më shumë për sektorin e shëndetësisë, 60 milionë për listën e re të barnave esenciale dhe 6.5 milionë euro më shumë për barna me sëmundje të ralla, sepse shëndetësia, sipas tij, në radhë të parë, ka nevojë për investime që sigurojnë shërbime.
“Në Klinikën e Onkologjisë, nuk ka më listë të pritjes për terapi me rrezatim. Atë e kemi pajisur me një akselerator të ri në vlerën prej 1.4 milion euro, të cilave ia kemi shtuar edhe mbi gjysmë milionë euro për shtim të kapaciteteve spitalore. Në Klinikën e Neurokirugjisë, u investua në pajisje me vlerë 1.7 milion euro. Për Klinikën e Gjinekologjisë janë dedikuar 1.5 milion”.
/albanianpost/