Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe zëvendësministrja Daulina Osmani, mori pjesë në Premierën e filmit “Tavolina” dhe ekspozitën për të pagjeturit nga fotografi Artan Korenica, në Muzeun Etnologjik të Kosovës.
Kryeministri Kurti falënderoi Qendrën Kinematografike të Kosovës, që ka mundësuar realizimin e këtij filmi, që siç tha ai, aq shumë i afrohet përjetimit të vërtetë të nënës Ferdonije, sa që është e pamundshme të mos trishtohesh.
“Ne e dimë rastin e nënës Ferdonije, së cilës i janë rrëmbyer katër djemtë dhe burri, por është e pamundshme të mos tronditesh e trishtohesh kur e sheh në film të personifikuar nënën Ferdonije nga aktorja jonë e mirënjohur dhe e shkëlqyeshme Arta Muçaj, e cila nuk ka qenë e mundur të thotë më shumë pa folur fare”, tha ai.
Nënën Ferdonije, kryeministri Kurti e përshkroi si një grua, e cila është forcuar aq shumë nga dhembja, sa që u jep fuqi të gjithë të tjerëve.
“Sot më 8 Mars, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, me një grua si nëna Ferdonije, ne tregojmë historinë tonë, të tashmen tonë, po në të njëjtën kohë edhe fuqinë për të ardhmen, e cila e ka burimin pikërisht në gra si nëna Ferdonije”, u shpreh ai.
Tavolina e shtëpisë së Ferdonije Qerkezit është e zbrazët tash e 24 vite.
Dhoma origjinale e ndejës së shtëpisë Qerkezi është lëvizur në Muzeun Etnologjik të Kosovës dhe do të pret musafirë nga 8 marsi deri më 22 mars.
Burri dhe katër djemtë e Ferdonijes ishin rrëmbyer me dhunë nga forcat serbe në vitin 1999. Eshtrat e dy djemve janë gjetur në vitin 2005, ndërsa eshtrat e burrit dhe dy djemve të tjerë nuk janë gjetur ende.
/AlbanianPost/