Kurti lavdëron angazhimin e mjekëve për shpëtimin e 15 të lënduarve nga shpërthimi në Kçiq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti  ka lavdëruar mjekët dhe infermierët e QKUK-së për arritjen e shpëtimit të 15 qytetarëve që janë lënduar nga shpërthimi në Kçiq të Mitrovicës.

“Për diç më shumë se një orë, mjekët dhe infermierët kujdestarë në QKUK, i shpëtuan 15 qytetarë të aksidentuar nga shpërthimi i një bombole gazi në Kçiq të Mitrovicës”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook.

Ai më tutje falendëroi përsonelin kujdestar për angazhimin profesional si dhe bëri të ditur se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, si dhe drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, ishin prezent në klinikën e Emërgjencës së bashku më të.

“Disa janë të lënduar lehtë, por ka edhe të lënduar rëndë me djegie të shkallës së dytë e të tretë. E falënderojmë personelin kujdestar për ndërhyrjen e shpejtë dhe angazhimin profesional, ndërkaq të plagosurve ju dëshirojmë shërim të shpejtë e të plotë. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, ishin po ashtu sonte në Klinikën e Emergjencës dhe atë të Kirurgjisë Plastike ku po vazhdojnë përpjekjet e mëdha për të mënjanuar rrezikun për jetë në një nga rastet”.

Po ashtu, kryeministri u bëri apel qytetarëve që të kenë kujdes dhe të kushtojnë vëmendje në blerjen e gazit, po ashtu edhe inspektoriatëve u kërkoi që të mbikëqyrin rreptë respektimin e standardeve të duhura të bombolave të gazit në treg.

“Nuk është aksidenti i parë i këtillë, qytetarët dhe familjet duhet të kenë shumë vëmendje te blerja dhe përdorimi i sigurt i gazit, gjithnjë sipas rregullave strikte, për shtëpitë dhe lokalet e tyre. Ndërkaq inspektoriatet dhe organet tjera përkatëse të mbikëqyrin rreptë respektimin e standardeve të duhura të bombolave të gazit në treg”, shkroi Kurti.

/klankosova/

Read Previous

Guardiola: Skuadra është e uritur për ta fituar sërish Premier Leaguen

Read Next

Vullkani Marapi i Indonezisë shpërthen sërish, një muaj pas incidentit vdekjeprurës