Kurti: Kush e bojkoton shkollën e bojkoton shtetin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media, ku ka prezantuar pakon e re për ta luftuar inflacionin në vend, ka folur edhe për grevën e Sindikatave të Bashkuara të Kosovës.

Sipas tij kërkesa e tyre nuk është aspak racionale, por janë dëshira arbitrare me të cilat nuk mund të ecet përpara.

Për të parin e ekzekutivit, bojkotimi i shkollës do të thotë bojkotimi i shtetit.

“Mësimdhënësit duhet të jenë me nxënësit, nuk duhet të ndahen nga nxënësit, shkolla është shtetit, ta bojkotosh shkollën do të thotë ta bojkotosh shtetin. Ne kemi bërë shumë luftë e përpjekje për shkollë që tash ta bojkotojmë atë me greva ekstremiste. Andaj mësimi nëpër shkolla duhet të fillojë sa më parë”.

“Unë jam socialdemokrat dhe jam për sindikatat, jam për sindikatat në sektorin privat. Unë nuk besojë që mund të kemi shtet demokratik pa sindikata te fuqishme. Por imazhi, serioziteti i tyre të gjitha vijnë në vend të kërkesave delerante në vend të kërkesave racionale”, ka shtuar ai.

Sipas Kurtit Greva është një instrument legjitim sindikal, por është hapi i fundit i cili duhet të ndërmerret.

“Unë kam takuar disa herë kreun e BSPK-së, Atdhe Hykollin. Ndërsa ministrat e mi kanë takuar degët sindikale të BSPK-së. Nëse duam shtet duhet të ketë rregullsi. Unë s’dua të kapërcej kreun e BSPK-së e të takojë liderë të degëve sindikale, sepse ashtu nuk ka  rregullsi”.

“Ka ndodhur ashtu në të kaluarën, kur liderë të degëve sindikale kanë krijuar lidhje direkte me politikan, president e ministra dhe e kanë prishur rregullsinë”.

Çka ndodhi?

25 gushti i gjeti sërish në greva mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore të Kosovës.

Të gjithë kanë të njëjtën kërkesë – rritje të pagës prej 100 eurove. Por, akoma pa përfunduar një ditë e grevës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, doli me vendim që grevistët të pezullohen nga e drejta për pagesë, pasi nga ta po kërkohet detyrim i bindjes për të punuar.

Vendimin e njëjtë e përforcoi ministri i Financave, Hekuran Murati në një paraqitje publike, ku kumtoi lajmin se dikasteri të cilën ai drejton nuk ka bërë në tërësi ekzekutimin e pagave në sektorin publik, me pretekstin se nuk ka arritur të përditësojë listat e pagave, pasi disa nga shërbyesit civil janë në grevë dhe nuk paraqiten në punë.

Pra pagat, sipas Muratit, janë procesuar vetëm atyre organizatave buxhetore që kanë arritur të kompletojnë me kohë listat e pagave të përditësuar.

“Siç e dini greva e deklaruar nga SBASHK-u dhe BSPK-ja në fund të muajit gusht, ka krijuar nevojën që të riprocesohen llogaritjet për ato organizata buxhetore që ndikohen nga grevat, për këtë arsye kemi kërkuar përditësimin e listave të grevistëve ashtu që të respektohet neni 18.1 të ligjit për grevat”, ka thënë ai në një konferencë për media.

“Mirëpo meqenëse përditësimi i listave të pagave nuk ka arritur të ndodh me kohë nga këto organizata buxhetore, ka qenë e pamundur që të procesohen edhe me pagat e tyre në ditën e sotme”, ka shtuar ai.

Ai ka shtuar se pagat do të dalin vetëm për ditët që konsiderohet që të punësuarit s’kanë qenë në grevë.

“Paga do të duhej të ishte rreth 90 euro më pak për secilin pjesëmarrës në grevë sepse llogaritet se ka punuar për 24 ditë të muajit gusht”, ka shtuar ai.

Murati ka mohuar se dikasteri të cilën ai e drejton ka kërkuar nga komunat listën e grevistëve.

“Sa i përket listave të grevistëve, ne kemi kërkuar që të na paraqitet lista e atyre që janë duke punuar, pra kush është në vendin e punës duhet të lajmërohen. Nuk është kërkuar listë e grevistëve sepse ne tashmë e kemi. Janë mbi 25 mijë persona që janë me SBAShK-un”. /Albanianpost.com

Read Previous

Rusët i japin lamtumirën e fundit ish-liderit sovjetik Mikhail Gorbachev

Read Next

Transformimi dixhital gjatë pandemisë, kush ishin fituesit dhe humbësit