Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për situatën në veri të vendit, duke thënë se po bashkëpunojnë me KFOR-in për të zgjidhur situatën sa më shpejt dhe në mënyrë paqësore.
Në një postim në Twitter, Kurti ka shkruar se “bandave kriminale në veri të Kosovës, u mungon edhe preteksti më i dobët për vendosjen e barrikadave dhe sulmeve të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës”.
“Me zgjidhjen e çështjes së targave dhe vonesën e zgjedhjeve, bandave kriminale në veri të Kosovës u mungon edhe preteksti më i dobët për barrikada dhe sulme të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës. Në bashkëpunim me KFOR-in, ne po punojmë për të adresuar situatën shpejt dhe në mënyrë paqësore”- është shprehur kreu i ekzekutivit.
Më tej, Kurti iu është përgjigjur edhe presidentit e kryeministrit të Serbisë, në lidhje me deklaratat dhe kërcënimet për agresion ushtarak, duke kërkuar që të futet ushtria serbe në Kosovë.
“Presidenti dhe kryeministri i Serbisë kanë kërcënuar edhe me agresion ushtarak, duke kërkuar që ushtria serbe të kthehet në territorin tonë. Ne nuk kërkojmë konflikt, por dialog dhe paqe. Por më lejoni të jem i qartë: Republika e Kosovës do të mbrohet me forcë dhe vendosmëri”- ka shkruar kryeministri Kurti.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar të shtunën se autoritetet serbe do të bëjnë kërkesë te misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, që në përputhje me Rezolutën 1244, të sigurojnë dislokimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës.
Vuçiq pretendon se sipas Rezolutës 1244, Serbia ka të drejtë të kthejë forcat e saj në Kosovë.
Në një konferencë për media, presidenti serb ka thënë se më 10 dhjetor është arritur pajtueshmëri për tekstin e kërkesës dhe se vendimi i Qeverisë do të merret “të hënën ose të martën”./Kallxo.com/
With the license plates issue resolved and elections delayed, criminal gangs in the north of Kosova lack even the flimsiest pretext for barricades & violent attacks on Kosova Police. In cooperation with @NATO_KFOR, we are working to address the situation quickly & peacefully.— Albin Kurti (@albinkurti) December 11, 2022